Klostridiumi “bakteri i fshehur” në zorrë – si ta parandaloni rikthimin e infeksionit

Rimëkëmbja pas infeksionit me klostridium nuk nënkupton vetëm eliminimin e bakteries, por edhe rikthimin dhe forcimin e shëndetit të përgjithshëm
Bakteri klostridium po bëhet gjithnjë e më patogjen. Infektologët raportojnë një numër gjithnjë në rritje infeksionesh në mbarë botën, kryesisht për shkak të përdorimit të gabuar të antibiotikëve. Rreziku për infeksion shtohet me zgjatjen e përdorimit të antibiotikëve, që çon në çrregullime të florës intestinale dhe simptoma të pakëndshme. Sporet e kësaj baktere, e cila mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për pacientët e shtruar në spital, mund të qëndrojnë për muaj të tërë në zorrë. Në disa raste, pas qetësimit fillestar të simptomave, është e mundur të ndodhë një ri-infeksion.
Çfarë është klostridiumi dhe si ndikon në funksionin e zorrëve?
Klostridium (Clostridium difficile, shkurt C. diff) është një bakter gram pozitiv, anaerob, që prodhon spore dhe toksina. Transmetohet nëpërmjet rrugës fekalo-orale. Kjo baktere mund të shkaktojë probleme serioze me tretjen dhe të prishë ekuilibrin e mikrobiotës intestinale (florës së zorrëve), e përbërë nga bakteret që mundësojnë funksionimin normal të sistemit tretës.
C. diff mund të jetë e pranishme në zorrë pa shkaktuar probleme shëndetësore. Infeksioni zakonisht shfaqet pas përdorimit të gabuar ose të zgjatur të antibiotikëve, të cilët mund të shkatërrojnë bakteret e dobishme dhe t’i japin mundësi klostridiumit të shumohen në mënyrë të pakontrolluar. Në këto kushte, C. diff lëshon toksina që dëmtojnë mukozën e zorrës së trashë, shpjegon Israa Hegazy, infermiere e specializuar në gastroenterologji.
Kur ndodh kjo, mund të shfaqen simptoma si:
- Diarre
- Dhimbje ose ngërçe në bark
- Temperaturë ose të përziera
- Inflamacion serioz i zorrës së trashë (kolit)
Shkaktari kryesor i diarresë infektive në institucionet shëndetësore
Infeksionet me C. diff janë të shpeshta në spitale dhe shtëpi kujdesi. Ky është shkaktari kryesor i diarresë infektive në institucionet shëndetësore, thotë Hegazy.
- Përdorimi i antibiotikëve me spektër të gjerë është faktori më i madh i rrezikut për infeksionin me C. diff. Personat e moshuar dhe pacientët me sëmundje kronike janë më të ekspozuar. Edhe pasi infeksioni të ketë kaluar, mikrobioma e zorrëve mund të ketë nevojë për kohë për t’u rikuperuar, thekson ajo.
Një florë e shëndetshme intestinale forcon sistemin imunitar, përmirëson metabolizmin dhe ndihmon në tretje. Kur ndodh çrregullimi i saj, zakonisht shfaqen gazra, fryrje, diarre apo kapsllëk, transmeton Telegrafi.

Si i dëmtojnë antibiotikët dhe C. diff bakteret e mira?
Antibiotikët ndihmojnë në luftimin e infeksioneve, por nuk veprojnë vetëm kundër baktereve të dëmshme – ata shkatërrojnë edhe bakteret e dobishme që trupi ka nevojë për tretjen normale. Si pasojë, zvogëlohet numri i “baktereve të mira” që pengojnë C. diff të përhapet. Kjo çon në dobësim të imunitetit, rënie të energjisë dhe rritje të rrezikut për infeksione të tjera.
Cilat janë shenjat që tregojnë se zorrët ende nuk janë rikuperuar?
– Gjatë fazës së rimëkëmbjes, jashtëqitja merr konsistencë më të mirë, bëhet më e rrallë, dhe dhimbjet në bark zhduken – thotë Hegazy. Megjithatë, edhe pas trajtimit të infeksionit me C. diff, mund të mos arrihet një shërim i plotë dhe pacienti të mos ndihet mirë. Simptoma si fryrja, gazrat, diarreja ose kapsllëku, lodhja apo ndjeshmëria ndaj ushqimeve të caktuara tregojnë se infeksioni ende mund të jetë aktiv.
– Sporet e bakterit C. difficile mund të mbijetojnë në zorrë për muaj të tërë. Nëse flora intestinale nuk rikuperohet plotësisht, ekziston një probabilitet më i lartë që infeksioni të rikthehet, thekson Hegazy.
Si të rikuperojmë sistemin tretës pas infeksionit me C. diff?
Rimëkëmbja e zorrëve pas infeksionit me klostridium kërkon kohë. Këshillohet një dietë e pasur me fibra, që ushqejnë dhe stimulojnë zhvillimin e baktereve të mira. Rekomandohet konsumimi i frutave si molla dhe frutat pyjore, perimeve si brokoli dhe spinaqi, si edhe drithërave integrale, tërshërës, orizit kaf apo bishtajoreve (fasule dhe thjerrëza), nëse nuk shkaktojnë gazra të tepërta.
Ushqimet e fermentuara me probiotikë natyralë ndihmojnë në rikthimin e ekuilibrit të florës intestinale. Sugjerohet konsumimi i kosit me kultura të gjalla, kefirit dhe lakrës turshi. Këshillat e personalizuara, në përputhje me gjendjen shëndetësore, duhet t’i japë mjeku. Disa probiotikë të caktuar mund të ndihmojnë në rikthimin e mikrobiotës dhe në parandalimin e ri-infektimit me C. diff.
Pini mjaft ujë
Uji ndihmon tretjen dhe përshpejton largimin e toksinave nga trupi. Po ashtu, kontrolloni stresin sa të jetë e mundur dhe sigurohuni për gjumë të mjaftueshëm. Zorrët dhe truri janë të lidhur ngushtë, ndaj gjumi i mirë dhe menaxhimi i stresit ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e sistemit tretës.
Kur duhet të kontaktojmë mjekun?
Është e rëndësishme të kontaktoni mjekun nëse shfaqen shenja të infeksionit të rëndë, si temperaturë e lartë, dhimbje të forta barku ose gjak në jashtëqitje, apo nëse simptomat përkeqësohen dhe shfaqen të reja. Kujdes i veçantë nevojitet nëse keni pasur më shumë se një infeksion me C. diff, nëse sistemi imunitar është i dobësuar ose vuani nga sëmundje kronike.
Ekspertët theksojnë se rikuperimi nga klostridiumi nuk nënkupton vetëm zhdukjen e infeksionit, por rikthimin dhe forcimin e gjithë ekuilibrit shëndetësor të organizmit. /Telegrafi/

















































