KK Arena - Pejë, shkëlqen në turneun “Haki Iberdemaj”, kthehet me 10 medalje

Klubi i Karatesë Arena Pejë ka vazhduar të dëshmojë suksesin dhe përkushtimin e tij në arenën ndërkombëtare, duke u rikthyer me 10 medalje nga turneu tradicional memorial “Haki Iberdemaj”, i cili u zhvillua të shtunën, më 18 maj 2025, në organizim të Federatës së Karatesë së Kosovës.
Në këtë garë morën pjesë klube dhe garues nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, duke e bërë një ndër turnetë më të fuqishëm dhe më të përfaqësuar në rajon.
Pjesëmarrësit nga Arena Pejë patën paraqitje të jashtëzakonshme, duke siguruar rezultatet në vijim: 1 medalje të artë, 4 medalje të argjendta dhe 5 medalje të bronzta.
Një nga historitë më të bukura të kësaj gare ishte ajo e vogëlushes Armine, vetëm 8 vjeçe, e cila në debutimin e saj të parë garues, arriti të shpallet nënkampione, duke lënë përshtypje të forta për talentin dhe guximin e saj.
Në këtë turne, përveç garuesve, klubin Arena Pejë e përfaqësoi edhe trajneri Baki Desku, i cili ka gradën ballkanike, dhe shërbeu si gjyqtar, duke dhënë një kontribut të çmuar në mbarëvajtjen dhe drejtësinë e garës.
Klubi pejan vazhdon të jetë një ndër emrat më të suksesshëm të karatesë në vend dhe rajon, me një punë të palodhshme dhe profesionalizëm të nivelit të lartë. /Telegrafi/



























































