Kica-Xhelili: Mes LDK-së dhe LVV-së ka hendek të madh

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, tha se ka “hendek të madh” mes tyre dhe LVV-së.
Megjithatë, ajo nuk bëri të ditur si do t’i përgjigjet kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ftesës për takim, kryetarit të LVV-së, Albin Kurti.
“Qëndrimet e LDK-së të dhëna para zgjedhjeve kanë qenë dhe ofertë publike e LDK-së për cilin do qytetarë të Kosovës i cili zgjedh të votojë për LDK-në. Nëse një parti politike në Kosovë e ka shfaqur sheshit një hendek shumë të madh me LVV-në, hendek ky i cili u shndërrua më pas në një mur të palëvizshëm pas zgjedhjeve, jo vetëm për shkak të diskursit të kryeministrit të vendit, por në përgjithësi për shkak të mënyrës se si ai e ka qeverisur Kosovën në këto katër vite”, ka thënë ajo, përcjell Telegrafi.
Madje ajo mohoi që kryesia e LDK-së do të mblidhet sot për diskutuar për këtë ftesë.
Sipas saj takimi mes nënkryetarëve të LDK-së do të jetë i zakonshëm.
Këto komente ajo i bëri pas pjesëmarrjes në takimin konsultativ në Kuvend për seancën konstituive të 15 prillit./Telegrafi/


















































