KF Arsimi si mace me nëntë shpirtra, barazon me përmbysje ndaj Pelisterit

Sezoni vjeshtor i Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut u mbyll sot me ndeshjen dramatike mes Arsimit dhe Pelisterit, një duel që solli gola, kthesë dhe tension deri në minutën e fundit, njofton Telegrafi.
Skuadra e Pelisterit dy herë kishte epërsi, por nuk arriti ta mbrojë deri në fund dhe ndeshja në Gostivar u mbyll 3:3. Rezultati lë gjithçka të hapur në luftën për mbijetesë, pasi ekipet në pjesën e poshtme të tabelës janë pothuajse të barabarta me pikë, duke paralajmëruar një pranverë të nxehtë.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe që në minutën e 15-të “të gjelbrit” nga Manastiri kaluan në epërsi. Vildan Kerim u gjend i vetëm në shtyllën e dytë pas asistimit të Ivanovskit dhe shënoi për 0:1. Arsimi reagoi shpejt, me një rast të mirë të Shefitit me kokë dhe disa situata të rrezikshme, por portieri Jovçevski ishte i sigurt.
Në minutën e 33-të, Pelisteri dyfishoi me një tjetër aksion të ngjashëm, Marjan Ristovski, i harruar në shtyllën e dytë, shënoi golin e tij të parë sezonal për 0:2. Deri në pushim, Arsimi pati dy raste të mira, ndërsa Taipi goditi edhe shtyllën, por pa sukses në finalizim. Në anën tjetër, Pelisteri ishte pranë golit të tretë, por Bozhkovski nuk arriti në kohë pasimin e Ristovskit.
Pjesa e dytë solli një Arsimi krejt tjetër. Menjëherë pas rifillimit, Shefit Shefiti shënoi për 1:2 dhe gjalli shpresat e vendasve. Megjithatë, Pelisteri sërish u shkëput, pasi kapiteni Ristovski realizoi nga pika e bardhë për 1:3.
Kur gjithçka dukej e mbyllur, nisi drama. Dy gola të shpejtë të Arsimit për të barazuar rezultatin. Fillimisht Asani, i sapo futur në lojë shënoi një supergol me një goditje të fuqishme, ndërsa Besagiç barazoi pak minuta para fundit. Në minutën e 91-të, Jovçevski shpëtoi Pelisterin nga goli i katërt pas një goditjeje me kokë të Shefitit, ndërsa në anën tjetër Mrmaçevski humbi një rast të artë. Pelisteri e mbylli sfidën me dhjetë lojtarë, pasi Ristovski mori kartonin e dytë të verdhë.
Liga e Parë do të rifillojë në muajin shkurt, ku priten përballje vendimtare për mbijetesë dhe për kreun e tabelës. /Telegrafi/
















































