Skuadra nga Çegrani nuk po humb kohë në përgatitjen për sezonin e saj të parë në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut. KF Arsimi ka zyrtarizuar tre përforcime të rëndësishme në repartet kyçe të ekipit, duke treguar qartë ambiciet për një paraqitje dinjitoze mes më të mirëve, njofton Telegrafi.

Transferimi më i fundit që ka zbarkuar në Çegran është Amer Drjleviç, mbrojtës qendror me përvojë nga ekipi i Ligës së Parë të Bosnjës, Igman Konjiç. 26-vjeçari boshnjak pritet të jetë një shtyllë në prapavijën e verdhezinjve. Me eksperiencën që ka grumbulluar në elitën e futbollit boshnjak, Drjleviç vjen si një element i gatshëm për të sjellë qetësi, organizim dhe siguri në mbrojtjen e Arsimit në sezonin e sfidave të mëdha.


Në mesfushë, skuadra ka bërë një tjetër goditje të qëlluar me afrimin e Gabriel Yapy Tenlep, mesfushor defensiv nga Kameruni, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Voska Sport. 23-vjeçari spikati me paraqitje të qëndrueshme në mesin e fushës dhe u kthye shpejt në objektiv të shumë klubeve, por ishte Arsimi ai që siguroi shërbimet e tij.

Në repartin ofensiv, Mirnel Huriç është emri i tretë që i bashkohet projektit verdhezi. Sulmuesi i krahut ishte pranë transferimit te FC Shkupi gjatë merkatos dimërore, por marrëveshja nuk u finalizua për shkak të problemeve të brendshme të klubit nga kryeqyteti. Hurić u rikthye te Jedinstvo, ku shkëlqeu me performancat e tij dhe tregoi potencialin e padiskutueshëm. Tani, me fanellën e Arsimit, ai synon të jetë një nga armët kryesore në sulmin e ekipit debutues. /Telegrafi/

telegrafi sport app