Këta qen janë më të vështirët për t’u trajnuar – trajneri zbulon pse

Nga husky që nuk bindet deri te racat e fuqishme që kërkojnë përvojë, ja cilët qen u shkaktojnë më shumë sfida pronarëve dhe çfarë duhet të dini para se t’i zgjidhni
Çdo qen mund të trajnohet, por disa raca kërkojnë më shumë angazhim, durim dhe përvojë. Zgjedhja e racës duhet të përshtatet me stilin e jetës së pronarit, përndryshe sfidat në bashkëjetesë janë të pashmangshme.
Trajneri i qenve Will Atherton ka ndarë përvojën e tij mbi racat që janë më sfiduese për trajnim. Ai tregon se gjatë karrierës ka punuar me shumë qen dhe pronarë të ndryshëm, por sipas tij, ndër më të vështirat për t’u trajnuar është husky siberian.
“Siberian husky janë pothuajse si macet. Kanë pak dëshirë për t’i bërë qejfin pronarit. Ata e dinë çfarë duan dhe përqendrohen vetëm te kjo, pavarësisht komandave”, shprehet ai.

Kjo racë njihet për pavarësinë e lartë, instinktin për të bredhur dhe energjinë e jashtëzakonshme. Husky-t janë rritur për të përshkuar deri në 50 kilometra në ditë duke tërhequr sajë në kushte të ashpra, ndaj kërkojnë aktivitet të madh fizik dhe stimulim mendor. Në të kundërtën, mund të bëhen të padëgjueshëm, shkatërrues dhe të prirur për arratisje, transmeton Telegrafi.
Racat e përziera me pudël dhe roli i pronarit
Një tjetër kategori me të cilën trajneri nuk preferon të punojë janë përzierjet me pudël, si Cockapoo dhe Cavapoo. Ai thekson se problemi nuk qëndron aq te vetë qentë, sa te mënyra si pronarët i trajtojnë ata.

Shpesh këta qen përkëdhelen tepër dhe nuk marrin disiplinën e duhur, gjë që çon në sjellje të pakontrolluara, ankth ndarjeje dhe mungesë respekti ndaj komandave. Megjithatë, duke qenë se pudlat janë ndër racat më inteligjente, këta qen mund të trajnohen shumë mirë nëse rriten me rregulla të qarta dhe strukturë.

Raca që kërkojnë përvojë dhe kontroll të fortë
Një tjetër racë sfiduese është qeni i Kaukazit. Ai është i madh, i fuqishëm dhe me instinkt të fortë mbrojtës. Kjo racë është përdorur për ruajtjen e bagëtive dhe përballjen me grabitqarë, çka e bën shumë territorial dhe shpesh mosbesues ndaj të huajve.
Për këtë arsye, kërkon një pronar me përvojë dhe trajnim të kujdesshëm që në moshë të hershme. Pa socializim dhe disiplinë të duhur, mund të bëhet i vështirë për t’u menaxhuar. /Telegrafi/

















































