Me këta politikanë që i kemi, patriotizmi më i madh është të ikësh nga Kosova

Ti, që po lexon këta rreshta:
- Nëse e do Kosovën;
- Nëse vuan për Kosovën;
- Nëse s’do ta krahasoje asnjë vend me Kosovën;
- Nëse dëshiron që Kosova të jetë ndjenja më e ëmbël e jetës sate;
- Nëse je ende nën moshën 50-vjeçare;
- Nëse e ke një trohë shkollë (nuk thashë diplomë shkolle);
- Nëse e ke një profesion, zanat, profil, zeje…
- Nëse ende nuk je korruptuar (në masë të madhe dhe të pakthyeshme);
- Nëse ende je energjik, i shëndetshëm dhe i gatshëm për punë e për jetë;
- Nëse ende nuk je dëshpëruar;
- Nëse me ndonjë mënyrë (vëzhgim, lexim, dëgjim, kombinim të tyre apo çfarëdo mënyre) e ke aftësinë ta kuptosh - sadopak - gjendjen në vendin tone;
- Nëse ende ke pak dinjitet dhe ende je i lirë (së paku, në shpirt);
- Nëse je, apo përpiqesh të jesh i moralshëm;
- Nëse nuk je politikan, militant, vegël dhe dorë e zgjatur e politikës;
- Nëse nuk je pjesëtar (i hapur apo - më parë - i fshehur) i ndonjë shërbimi sekret;
- Nëse nuk je hajn, kriminel, pjesëtar bande apo grupi të krimit të organizuar;
- Nëse nuk je biznesmen që operon me para të pista dhe shfrytëzon djersën e shqiptarit të ngratë deri në nivelin absurd dhe të paimagjinueshëm;
- Nëse nuk ke blerë një titull, akademik, ushtarak apo “patriotik”;
- Nëse ende nuk je çmendur.
Atëherë, mos u vono asnjë minutë: Ik nga Kosova! Ik menjëherë, fill, urgjentisht!
Ik nga Kosova!
Sepse, nëse nuk do të ikësh nga Kosova, ke gjasa të mira, gati të sigurta, se:
- Do të fillosh të mos e duash Kosovën;
- Do të fillosh ta harrosh ëmbëlsinë që ta jep ky vend i bekuar nga Zoti;
- Dija, arsimimi, edukimi, zanati, zeja, përgatitja jote profesionale do të shkojë dëm, do të venitet, do të zhduket…; kurrë pa u shfrytëzuar, definitivisht kurrë pa u respektuar;
- Do të korruptohesh;
- (Mos u hidhëro, mos u mrrol, mos u nervozo… prapë po të them…; herëdokurdo), do të korruptohesh;
- Shëndeti, disponimi, energjia, elani për të punuar për këtë vend dhe për vete e të dashurit tuaj do të venitet, do të ligështohet, do të zhduket;
- Do të përfundosh i dëshpëruar, ndoshta në mjerim dhe në fatalizëm;
- Do të fillosh të mos e kuptosh çfarë po ndodh rreth teje, gjendjen në vend; do të fillosh të relativizosh çdo gjë; do të fillosh të mos dallosh se çka është mirë e çka është keq, çka është e moralshme dhe çfarë jo;
- Do të humbasësh dinjitetin dhe lirinë tënde;
- Do të bëhesh, direkt apo indirekt, dorë e zgjatur, vegël, militant i politikës (politikës që nuk e ke dashur kurrë, është fjala!);
- Duke e ditur apo duke mos e ditur, do të jesh në rrezik permanent, t’i shërbesh një shërbimi që nuk ia do të mirën vendit tand;
- Do të bëhesh hajn, kriminel apo pjesëtar i krimit të organizuar;
- Do të keqpërdorësh, deri në nivel absurdi, djersën (apo, edhe gjakun) e shqiptarit ose djersa jote do të keqpërdoret deri në nivelin e absurdit;
- (Herëdokur, por me siguri) Titujt dhe ofiqet tua do të sjellin neveri dhe aversion të përgjithshëm, madje edhe vet do të ndjesh neveri dhe përbuzje ndaj atyre titujve të blerë;
- Do të çmendesh,…; po, do të çmendesh;
Ndërsa, nëse do të ikësh sot, sonte, menjëherë, sa më shpejt që mundesh nga Kosova, ke gjasa shumë të mira, gati të sigurta, se:
- Do të vazhdosh ta duash Kosovën;
- Do të vazhdosh të kesh ëmbëlsinë e emrit të Kosovës së bekuar;
- Do të respektohet (dhe ti do ta shfrytëzosh e do t’i vjelësh frytet) dija jote, zanati, profesioni, djersa;
- Do të kesh mundësinë të shohësh dhe të jetosh një jetë, ku korrupsioni të mos jetë pjesë e përditshme dhe absolute e çdo hapi;
- Shëndeti, disponimi, energjia, elani për të punuar do të jenë pjesë e jotja deri në pleqërinë e thellë;
- Do të jesh plot vullnet dhe disponim për punë dhe për jetë;
- Do ta mbash kthjelltësinë e mendjes, së paku për të dalluar të mirën nga e keqja, të moralshmen nga e pamoralshmja, të dobishmen nga e kota;
- Do ta mbash dinjitetin njerëzor dhe lirinë tënde;
- Do të kesh mundësi reale të jetosh jetën tënde, larg politikës, spiunllëkut, militantizmit shterp dhe pozicionimit permanent në politikë;
- Do të jesh (nëse do) larg hajnisë, korrupsionit, krimit të organizuar;
- Do të kesh mundësi reale që djersën tënde ta përkthesh në vlerë, monetare, nëse është e mjaftueshme kjo;
- Nëse ti dhe fëmijët tuaj do të fitojnë një titull apo ofiq, do të shohësh vlerën e vërtetë të tyre në jetën e njeriut;
- Do të kesh mundësi të ruash shëndetin mendor.
Edhe një herë, nëse do të ikësh nga Kosova, do të vazhdosh ta duash Kosovën. Do të jesh pjesë e diasporës - më mirë gjuhësisht të thuhet mërgatës shqiptare, e cila është paradoksalisht ende, çelësi i ekzistencës së shqiptarëve në Ballkan. Dhe, ç’është me rëndësi, do të vazhdosh të punosh edhe atje larg ku je, për Kosovën. Dhe, kjo nuk do të ishte hera e parë për shqiptarët.
Studiuesja e njohur, Nathalie Clayer në librin e saj monumental “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”, tregon qartë, me qindra faqe dhe me mijëra fakte se pa mërgatën shqiptare - atëherë të shtrirë ndryshe gjeografikisht - nuk do të kishte komb shqiptar, nuk do të kishte çështje shqiptare, nuk do të kishte Shqipëri.
Sado paradoksale dhe anakronike, jam i bindur se mërgata është garanca edhe për Kosovën.
Një herë, mërgata e shpëtoi Kosovën që të mos zhduket emri i saj. Tash kur gjithçka është kalbur në këtë vend dhe kur kontributi, përpjekja, djersa e gjaku i diasporës bashkë me djersën, gjakun, shpresën e ëndrrën e shqiptarëve të Kosovës, është tradhtuar, shpëtimi dhe shpresa e vetme është mërgata jonë.
Për shkak se Kosova është tradhtuar, nga diaspora duhet të rilindë gjithçka.
Nga fillimi!
Prandaj, ti që po lexon këta rreshta:
- Ik nga Kosova;
- Ik, menjëherë, sepse s’ka patriotizëm më të madh se sa të ikësh nga Kosova!
Dhe, po e përsëris: Kështu si erdhën gjërat, e vetmja mundësi që ta duash Kosovën, është të largohesh, të ikësh nga ajo.
Menjëherë!

















































