Është një kuotë thuajse e ngjashme përmes të cilës paguhen të gjithë ambasadorët, kudo që ata janë në shërbim.

Më i paguar se gjithë këta është Shpend Kallaba, ambasador i Kosovës në Bullgari, shkruan gazeta "Zëri".


Nga deklarimet në AKK, del se Kallaba paguhet 46200 euro në vit, apo 3850 euro në muaj.

Ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Rexhep Boja, ndërkaq gjatë vitit paguhet për dhjetëmijë euro më pak se Kallaba, apo 36000 euro.

Kurse Sabri Kiqmari, ambasador në Australi merr pagë vjetore prej 38720 euro.

Derisa për vitin e ardhshëm për Ministrinë e Jashtme janë aprovuar nga Ministria e Financave 45 milionë e 285 mijë e 721, kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj, edhe për këtë vit është kujdesur që 50 për qind të buxhetit të kësaj ministrie ta ndajë për institucionet diplomatike, ambasadat dhe konsullatat e Kosovës.

Hoxhaj, mund t’iu ketë lakmi ambasadorëve për pagat që marrin, pasi del se ai, ka pagën trefish më të vogël se sa ambasadori i Kosovës në Bullgari, Shpend Kallaba. Paga e Hoxhajt është 15240 euro për një vit, apo 1270 euro në muaj.

Ndryshe, nga shuma e shpenzimeve të parapara për vitin që vjen, del se rreth 18 milionë euro do të shpenzohen nga stafi i ambasadave nëpër botë.

Nga këto mjete, rreth 6 milionë euro do të shpenzohen vetëm për paga dhe mëditje, kurse për mallra dhe shërbime do të shkojnë afro 11 milionë euro.

Për 22 ambasada dhe 20 konsullata sa ka Kosova në botë, janë paraparë të shpenzohen vetëm për shërbime komunale rreth 800 mijë euro. /zëri/