Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka përfunduar tashmë procedurat e emërimit të ambasadorëve të Kosovës në 12 shtete të ndryshme.
Emërimi i këtyre ambasadorëve u bë pas një periudhe të gjatë, pasi që MPJD kishte shkarkuar ambasadorët e mëparshëm.
Ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla muaj më parë ishte shprehur se vendimi për shkarkimin e ambasadorëve të mëparshëm ishte akt në mesin e reformave që pati nisur MPJD-ja, dhe se funksioni i tillë i ambasadorëve ishte i jashtëligjshëm.
“Janë shkarkuar 12 ambasadorët politikë, sepse kanë qenë në disproporcion me ligjin tonë. Janë shkarkuar të gjithë për një herë, sepse në momentin që ke tejkaluar kuotën ligjore, atëherë i ke të gjithë të jashtëligjshëm. Pra, 12 ambasadorët politikë sepse kemi konsideruar se është shkelur ligji i shërbimit të Jashtëm politik. Në ndërkohë është bërë përzgjedhja e ambasadorëve”, kishte deklaruar Gërvalla.
Dymbëdhjetë ambasadoret e shkarkuar ishin: Beqë Cufaj (Gjermani), Nait Hasani (Shqipëri), Arbër Vllahiu (Çeki), Lirim Grejqevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Gezim Kasapolli (Kroaci), Avni Kastrati (Slloveni), Gjergj Dedaj (Maqedonia e Veriut), Hajdin Abazi (Australi), Ylber Hysa (Mali i Zi), Avni Arifi (Emiratet e Bashkuara Arabe) dhe Amir Ahmeti (Katar).
Të njëjtit këta tashmë janë zëvendësuar me ambasadorët e rinj, të cilët do të mbajnë këtë pozitë për katër vitet e ardhshme.
Emërimin e ambasadorëve të rinj, e ka konfirmuar mbrëmë në T7 ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila bëri të ditur edhe disa nga emrat e ambasadorëve të rinj.
Telegrafi më poshtë u sjell emrat e tetë prej dymbëdhjetë ambasadorëve të rinj:
Skënder Durmishi (Tiranë)
Faruk Ajeti (Gjermani)
Ilir Dugolli (Uashington)
Mehdi Halimi (Francë)
Fuad Morina (Katar)
Ilir Kapiti (Britani të Madhe)
Albesjana Iberhysaj (Çeki)
Agron Bajrami (Bruksel)
/Telegrafi/