LAJMI I FUNDIT:

Këshilli Prokurorial miraton strategjinë për krimet e luftës

Këshilli Prokurorial miraton strategjinë për krimet e luftës

Këshilli Prokurorial i Kosovës miratoi sot strategjinë e krimeve të luftës, iniciuar kohë më parë nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e cila është rezultat i punës së Grupit punues në përbërje të prokurorëve vendorë, prokurorëve të EULEX-it, përfaqësuesit të Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Miratimit të këtij dokumenti të rëndësishëm strategjik i ka paraprirë prezantimi nga kryesuesja e Grupit punues për hartimin e strategjisë, Prokurorja e Shtetit në PSRK, Drita Hajdari, e cila ka paraqitur vlerësimin e gjendjes së tashme, përcaktimin e synimeve dhe veprimeve të nevojshme për organet shtetërore në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka thënë se sistemi prokurorial është duke hyrë në një fazë të ngritjes, avancimit dhe fuqizimit të përgjegjësive dhe misionit të tij.


“Vetë fakti që sot kemi një rend kaq të ngjeshur pikash, në të cilën bën pjesë edhe Strategjia për krimet e luftës, tregon rëndësinë që jemi duke i dhënë çështjeve kruciale për zbatimin e ligjit, standardeve dhe vlerave, profesionalizmit, qasjen e përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë në sistemin prokurorial”, ka thënë ai.

Këshilli miratoi raportin vjetor të KPK-së për vitin 2018, raportin vjetor për vitin 2018 të mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për veprat penale karakteristike dhe raportin e komisionit për vlerësimin e performancës.