LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet që partitë politike t’i publikojnë financat

Kërkohet që partitë politike t’i publikojnë financat

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) sot ka mbajtur Panelin Diskutues me temë: “Sfidat e Financimit të Subjekteve Politike: Ku qëndron Kosova?”, i cili pati për qëllim të vë në pah mangësitë dhe sfidat kryesore në kuadër të sistemit të financimit të subjekteve politike, si dhe të diskutoj rreth kornizës ligjore që rregullon këtë fushë.

Duke pasur parasysh që Qeveria e Kosovës ka aprovuar koncept dokumentin për financimin e subjekteve politike të iniciuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ky Panel Diskutues pati për qëllim të diskutojë dhe analizojë modelet më efikase të procesit të auditimit të financave të subjekteve politike duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe ato rajonale.

Për më tepër, në këtë diskutim kujdes të veçantë do t’i kushtohet transparencës, kontrollit të brendshëm, si dhe nevojës për një mekanizëm të pavarur të monitorimit të financimit të subjekteve politike.


Erëza Pula nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se asnjë parti politike nuk i ka publikuar raportet financiare , andaj kërkojnë që me ligj të përfshihet publikimi i raporteve për financa në mënyrë që të ngritet transparenca.

Driton Selmanaj kryetar i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrje Financiare ka thënë janë një fazë ku Qeveria e Kosovës ka draftuar një koncept dokument që ka kontradiktë.

“Cili është modaliteti më mirë? Modaliteti aktual nuk është më i miri. Zgjidhja më e mirë do të ishte tek ligji i zgjedhjeve të përgjithshme brenda KQZ.  Kultura se si e menaxhojnë paranë partitë, pastaj po menaxhojnë edhe me paranë publike në qeverisje. Kjo çështje dihet t’i kalojë një institucioni më të pavarur. Pajtohem me të gjithë se ka dyshime me shpenzimin e parave nëpër parti”, ka thënë Selmanaj.

Miradije Mavriqi nga KQZ ka thënë se nuk mund t’i akuzojnë partitë politike se nuk po i publikojnë raportet e shpenzimeve në KQZ.

“Ajo thënie se është shkel ligji, kjo nuk qëndron, sepse ligji ka qenë i komplikuar, pa dashur me i mbrojtur partitë politike”, ka thënë Mavriqi.

Felix Rathje nga Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se sigurimi i transparencës dhe llogaridhënies për shpenzimin e parasë së partive politike, është çelës i proceseve demokratike.

Sipas tij, Kosovës i duhet një model për përzgjedhjen e auditorëve duhet të sigurohen procedurat e për pavarësinë e atij organi për auditimin e financave partiake.

Ai ka shtuar se ligji aktual është e vërtetë se paraqet sfida.

Arton Demhasaj nga Çohu ka thënë se në këtë vit ka pasur dy palë zgjedhje dhe nuk  dihet se nga i kanë marrë parat partitë politike. Ai ka shtuar se ka shumë biznese që i financojnë partitë në fushatë, mandej ato po vazhdojnë të shpërblehen me tenderë miliona eurosh.

Sipas tij ka një lidhje të pa kompromis dhe aq të fortë ndërmjet partive politike dhe bizneseve./kp/