Centralizimi i shërbimeve të caktuara mjekësore po u shkakton probleme pacientëve, sidomos atyre me sëmundje malinje gjatë trajtimeve që u duhet t`i bëjnë në QKUK. Ata detyrohen të udhëtojnë me kilometra, derisa kërkojnë që shërbimet e tilla si marrja e kimioterapive t’u mundësohet në komunat më të afërta.
Bashkë me gjendjen e rëndë shëndetësore, qytetarët nga e gjithë Kosova detyrohen të udhëtojnë me kilometra për të marrë shërbime Onkologjike në Qendrën Klinike Universitare.
Faturës së shtrenjtë të trajtimit të këtyre sëmundjeve u shtohen edhe vështirësitë derisa janë në lëvizje me makinë menjëherë pas aplikimit të terapive pasi të njëjtat nuk ofrohen në qytete të tjera.
“Me pas qenë më afër kish qenë më mirë se janë gati 50 kilometra deri këtu”, thotë një qytetar.
“Çdo tri javë vijë nga Kamenica. Është e mundimshme sidomos për pacientin të cilin e mundojnë terapitë, e pastaj edhe rruga”, thotë një qytetar tjetër.
Përveç qytetarëve, mundësi për shërbime sa më afër atyre që kanë nevojë po kërkojnë edhe deputetët. Por, problem mbetet mungesa e stafit.
“Kemi biseduar që të kërkohen specialistë të onkologjisë në të gjitha spitalet regjionale dhe në këtë mënyrë përveç ndarjes së terapisë tabletare të fillohet më pas edhe ajo ampulare”, tha deputetja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku për RTK-në.
Ndërsa, deputeti Bekim Haxhiu nga PDK thotë se shërbimet shëndetësore duhet të ofrohen sa më afër qytetarit. “Që qytetarët të mos vijnë nga vendet rurale në Prishtinë”, tha ai.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se qytetarëve duhet tu ofrohen sa më afër të gjitha shërbimet cilësore dhe me specialistë të fushës .“Edhe ashtu kemi kërkuar që ligji i ri për shëndetësi të vije”, u shpreh ai.
Shemsedin Dreshaj, nga AAK tha se centralizimi nuk është i mirë, por edhe decentralizimi duhet të bëhet me staf. “Aktualisht onkolog kemi vetëm në QKUK dhe nuk mund të bëhet pa përgatitur staf”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë ka deklaruar se së shpejti do të hapen specializimet sipas nevojave të institucioneve shëndetësore, e me këtë do të shtohet numri i specialistëveqë mundëson decentralizimin e disa shërbimeve siç është edhe onkologjia.