Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se janë shpallur persona non grata dy zyrtarë rusë.
Sipas Osmanit, zyrtarët që kanë punuar në Zyrën Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Prishtinë janë të padëshirueshëm në Kosovë.
“Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligj zbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”, thuhet në njoftimin e presidentes.
Në vendimin e Ministrisë së Diasporës dhe Punëve të Jashtme, Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev janë dy personat që janë identifikuar nga institucionet e Kosovës se veprimtaria e tyre është cenuese për sigurinë kombëtare.
Siç merr vesh Telegrafi, kjo kërkesë ishte bërë nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI). Alexey Kryvosheev ishte shpallur persona non grata në fillim të këtij viti edhe nga autoritetet e Shqipërisë.
Ai ishte dëbuar nga Tirana për shkak të thyerjes së masave kundër COVID-19. Para se të shërbente në Tiranë, diplomati rus kishte shërbyer në shtetet e Ballkanit, përkatësisht në Maqedoni të Veriut.
Një kohë ka qenë në Ambasadën e federatës së Rusisë në Shkup. Për të njëjtin është diskutuar se ka qenë pjesë e përpjekjes së ndalimit të zgjedhjes së Zoran Zaevit, kryeministër të Maqedonisë së Veriut në vitin 2017, në Shkup. /Telegrafi/