LAJMI I FUNDIT:

Këqyrini… (mbi)emrat!

Këqyrini… (mbi)emrat!
Ilustrim

Në Zezë mund ta konstruktoni gjithë historinë e perandorisë selxhuke vetëm me emra e mbiemra njerëzish. Zijoshët herët filluan të pagëzojnë fëmijët e tyre me emrin e dovletit, duke filluar nga vet Sulltani dhe me çdo titull e gradë tjetër ushtarake apo politike. Jo vetëm emri Sulltan që u bë i popullarizuar, por edhe vajzat i pagëzonin me emrin Sulltane. Kështu nga Sulltani doli Sulltanja. Nga Pashai-Pashja, nga Veziri-Vezirja, nga Asqeri-Asqerja, nga Ysbashi-Yzbashja e nga Milazimi-Milazimja. Kopjimin e emrave, zijoshët e kishin filluar që nga koha e pushtimit romak dhe nuk u ngopen deri në ditët e sotme. Emri i vet perandorit romak Cezar, mund të gjendej edhe tek bariu zijosh në bjeshkë. Puna e emrave ishte bërë sëmundje pandemie për zijoshë. Secili zijosh lakmonte që fëmijën e vet ta pagëzoj me një emër, sipas tij të madh, që e njeh bota. Ku dinin zijoshët se është bota e madhe, kur Zezën nuk e njeh kush as si nocion gjeografik. Edhe sot në Zezë vazhdon ky trend emrash të huaj të cilin nuk e gjeni askund në botë. Bile edhe në shekullin e ri zijoshët pagëzuan fëmijët e tyre me emra rokerësh e reperësh të njohur në botë, por nuk harruan t’ua përtërijnë emrat edhe mafiozëve më famëkeq që ka njohur bota e krimit.

Nuk ju duhet shumë mund për të parë se si zijoshët i pagëzonin fëmijët sipas sundimtarëve apo diktatorëve të kohës. Çdo përudhë e historisë mund të konstruktohet lehtë sipas emrave dhe moshës së zijoshëve. Gjithë emrat e ish-komunistëve më të njohur i gjeni të zijoshët. Edhe Mao edhe Kastro edhe Stalin, Partizan e Komunist. Po i gjeni edhe ata të taborit kundërshtar të komunizmit gjithsesi. Bile i gjeni edhe emrat e kryetarëve të të ashtuquajturës Lëvizja e vendeve të Painkuadruara, Nehru e Naser apo Indira – Gandi. Me kohë në skenën politike ndërkombëtare dolën emra të tjerë, por zijoshët i kopjuan edhe këta. Gjeni emra Gadaf, Asad, Sadat e Sadam e deri te Erdogan. Dhe ja, kështu, këtu në Zezë sot është një botë e tërë emrash. Edhe së fundit herë; sa pamë me dhjetëra Klintona, Toni Blera e Medlina. Për emra futbollistësh të mos flasim. Në Zezë i gjeni nga Romario, Pele e Karlos deri të Messi e Ronalldo.

Ka akoma në modë emra të të gjitha kategorive nga ish perandoria osmane si Çaush, Miftar, Zabit, Bimbash, Bylykbash, Mydyr, Asqer, Myftibash, Milazim, Yzbash e Harambash, por edhe Vezir e Vezire e Tahir e Tahire,


Shumë herë halla Galë iu thoshte shoqeve; pse mos të kemi mbiemrin Pashai dhe ne? Çka kemi ne më pak se Dangallët që tash i thërrasin Harambash, Pse mos të thirremi edhe ne Pashai apo Agai e jo Ckurraj? Pse Gala të thirret Ckurraj kur mund të quhet Pashai? Nuk ka mbiemër të perandorisë selxhuke që nuk gjendet të zijoshët. Mbiemrat si: Pashai, Pasha, Agai, Aga, Agolli, Myftiu, Efendiu, Myftibashi, Olldashi, Subashi, Celibashi, Bylykbashi, Haramabshi, e Ysbashi, Koçobashi, i gjeni në çdo lagje të Zezës. Mbiemrat Bajraktari e Hoxha gjenden kudo, madje edhe Vojvoda polli nga pushtuesi serb. Po nëse dikush mund të arsyetojë këta mbiemra, si mund t’i arsyetoj mbiemrat Turku, Greku, Bugari, Allamani, Maxharri, Franca, Rusi, Arapi, Tatari apo… që i gjen te zijoshët, jo vetëm në qytet por edhe në shumë fshatra.

Për habi, njëfarë Hajdarit iu kishte tek ta ndryshoj emrin në pleqëri dhe tha se tash quhet Atdhe. Kërkesën e Hajdarit për të ndryshuar emrin e kishin pranuar këta të hyqymetit, por jo edhe kërkesën e Galës për të marrë mbiemrin Pashai.

Gala kishte shkuar edhe të pyeste në zyrën ligjore se a mund ta ndryshonte mbiemrin Ckurraj e ta bënte Pashai, i cili iu kishte bërë fiksim edhe kur flinte. Për fat të keq, zyrtarët iu kishin përgjigjur e arsyetuar, se nuk e kanë gjetur askund në defter që familja e Galës të ketë pasur ndonjëherë mbiemrin Pashai. Kështu, gjithë familja e Galës edhe më tutje thirret Ckurraj. Zijoshët më parë kishin edhe emra bishash të egra si: Ari, Uk, Lan (Luan) Ujk, Dre, Çakall, por edhe Iriq e Lepur. Kishin edhe emra të kafshëve shtëpiake si: Dash, Edh, Dhi, Cjap, Ka, Tarak, Buall, Kali, Pelë, por edhe emra të shpezëve; Zog, Sorrë, Laraskë, Shqiponjë, Shotë e Shotan, Sokol e Sokoleshë, Strincë, Vremç, Gjel, Pulë, Patë (Shotë), Bibë (Qurë). Vetëm me një shkronjë e dallonin gjininë e emrit, por jo pak herë edhe vetëm me theks. Nëse djali quhej Bibë(an), e thërrisnin Bib(ë) që në rastin tjetër mund të ishte vajzë dhe të kishte po ketë emër. Dikujt i duket punë e lehtë apo asgjë punë, por kishte ndodhur që jo pak herë për rekrutim të kishin pasur problem.

Derisa imami i kishte shënuar në defter një Laro, kur erdhi koha për rekrutim, shkuan ta marrin kinse djalin nizam, ai nuk ishte ai, por ishte ajo, që quhej Lara. Huqet ishin bërë të rëndomta, por jo pak herë edhe po keqpërdoreshin nga zijoshët për t’iu shmangu rekrutimit. Bile kur nuk kishin gjetur shteg për t’i ikur rekrutimit, ata shumë herë edhe i kishin nakatosur djemtë e shëndoshë duke ia prerë një vesh apo zoti na ruajt edhe dikush edhe ia kishte nxjerr një sy fëmijës, vetëm për të mos e dërguar ushtar. Kishte ndodhur shumë herë t’ia presin fëmijës edhe ndonjë gisht, ose t’ia dredhonin këmbën apo dorën dhe ai të mbetej sakat për jetë, vetëm për të mos shkuar ushtar i dovletit.

Kështu më kohë ishin krijuar probleme të mëdha dhe shumë fëmijë të lindur shëndosh e mirë, prindërit e tyre i kishin sakatosur vetëm e vetëm për të mos shkuar ushtar. Këtë dukuri e kishin vërejtur edhe pushtetarët e kohës dhe kështu për disa dekada lejuan që ata të cilët kanë mundësi të paguajnë bedel për mashkullin e tyre të dërgojnë dikën tjetër ushtar me pagesë, por edhe kjo mënyrë nuk solli diçka të mirë. Askush nuk po u binte në fije zijoshëve se çka mund t’u pillte imagjinata.

Emri Laro, përdorej edhe për emër djali, por edhe vajze Lara e shumë herë edhe për emërimin e ndonjë qeni apo lope. Po kështu ishte puna edhe me emrat tjerë të kafshëve. Mund të kishte dikush edhe dy e tre emra dhe atë e thërrisnin sipas nevoje. Për shembull; Shko ktheje Kumrinë kur i thoshte plaku djalit të tij, ai së pari duhej të kuptonte a është fjala për motrën e vogël që kishte këtë emër apo për buallicën që shumë herë nuk kthehej lehtë nga kullota. Sharku mund të ishte emër qeni, por edhe emër burri.

Në kohës e komunizmit zijoshët kishin adaptua shumë emra sipas politikës; Emrat si; Plan e Liri ishin bërë modë. Demek se si po punohet me plan në atë farë lirie që kishte sjellë komunizmi.

Edhe çdo kokë bagëtie që mbanin e pagëzonin me emra të ngjashëm me njerëz.: Galë ishte emër njeriu i gjinisë femërore, por ashtu e quanin edhe një dele apo lopë që ishte pakë me e zezë se të tjerat. Kumri ishte emër shpeze, por një kësi emri ia venin edhe një lope apo buallice. Bile emri i një dashi Shyt(pa brirë), ishte i popullarizuar në Zezë. Shyti i Zezës thonë kishte qenë koçobash i njohur në fshat. Krahas emrit të mashkullit Shyt, kishte edhe emër Kaprec, apo edhe Brithyer.

Në shumicën e rasteve, emrin e babait e trashëgonte djali i vogël i tij, dhe në të shumtën e rasteve kjo ndodhte për të gjallë të babait, por nëse ishte gjyshi gjallë e pagëzonte vet me emrin e tij. Kishte ndodhur që dikush ta pagëzonte edhe fëmijën e parë, me emrin e vet, dhe nëse lindej vajzë vetëm ia ndryshonte mbaresën e fundit. Kështu, po të lindej djalë do kishte emrin Sherif, e po të ishte vajzë pagëzohej Sherife, ose Pasha – Pashe, Aga-Age. Pastaj ishin krejt të rëndomtë emrat mashkull-femër që dalloheshin vetëm me shkronjën e fundit si p. sh. Gjatë shqiptimit emrat si vijon nuk dallonin fare. Tepër vonë u diktuan këto të meta dhe duhej shumë kujdes i ofiçarit kur regjistronte një fëmijë të zijoshëve :Afet- Afete. Atifet- Atifete, Zyrafet-Zyrafete, Xhenet – Xhenete, Ylfet Ylfete. Ibadet- Ibadete, Selvet- Selvete, Galan – Galë. Bardh – Bardhë, Zija– Zezë ose Galë. etj.

Kjo përtëritje emrash ishte bërë traditë dhe askush nuk mund i binte në fije se cili zijosh është i biri apo babai i tjetrit zijosh. Me këta emra pollën edhe shumë probleme pasi, ata që i regjistronin në defter, shumë herë i shënonin gabimisht. Kishte ndodhur që edhe njëfarë Ibadeti-n e kishin ftuar për të shkuar ushtar, por i ati i tij, demek i këtij djalit, iu tha se Ibadeti nuk është djalë por vajzë dhe e keni gabim. Pastaj u deshtë të bëhet edhe komision special për të vërtetuar a ishte fjala për ndonjë gabim apo gjithçka ishte bërë me qëllim. Atë vajzën offiçari e kishte shënuar demek djalë në defter, e puna kishte dal gabim me një shkronjë tjetër në fund, dhe kishte dal Ibadet e jo Ibadet-e. Jo pak bela kishin ndodhur pikërisht për shkak të emrave të njëjtë. Po të fillonte ndonjë hetim serioz, dhe po të thirrej dikush në bisedë, posa dyshohej dikush, jo që fillonte të ndriçohej rasti, por ai ngatërrohej përfundimisht.

Çaushi i Çaushit të Çaushit, është i lagjes tjetër, thoshte çdo zijoshë që merrej në pyetje. Nëse dyshohej ndonjë zijosh me emrin Zabit, e të tillë kishte tre-katër në çdo lagje dhe të gjithë zakonisht ishin emra të përtërirë brenda të njëjtës familje, por edhe secili quhej Zabit Zabiti, ose Myhyr Myhyri, Asqer Asqeri e kështu me radhë. Nuk është bash mahi kjo puna e emrave. Ka problem të madh në brendi.

Në trend

Më shumë
Injorimi dhe mosmirënjohja që ia bëri pas fitores në Big Brother VIP Kosova, Driloni i përgjigjet Edit pas akuzave

Injorimi dhe mosmirënjohja që ia bëri pas fitores në Big Brother VIP Kosova, Driloni i përgjigjet Edit pas akuzave

Magazina
Vuçiq: Në dhjetë ditët e ardhshme do të vendosim nëse do të shkojmë në zgjedhje apo do të formojmë qeverinë e re

Vuçiq: Në dhjetë ditët e ardhshme do të vendosim nëse do të shkojmë në zgjedhje apo do të formojmë qeverinë e re

Serbia
Në Prishtinë zbulohet laboratori i sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve

Në Prishtinë zbulohet laboratori i sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve

Kronika e Zezë

"Fitore e shitur", Rezarti me akuza të forta për produksionin e BBVK: A jeni gati t'i nxirrni votat Drilon-Gjesti në gjykatë? Me qëllim i tërhiqnit kamerat për Drilonin

Magazina
U përfol se ka qenë i martuar? Zbulohet e vërteta e Gjestit - bashkëjetesa e tij katër vjeçare me një vajzë të quajtur Diellza

U përfol se ka qenë i martuar? Zbulohet e vërteta e Gjestit - bashkëjetesa e tij katër vjeçare me një vajzë të quajtur Diellza

Magazina
Konfirmohet fajësia për vrasësit e Enver Hadrit në Belgjikë, mbetet dënimi i përjetshëm

Konfirmohet fajësia për vrasësit e Enver Hadrit në Belgjikë, mbetet dënimi i përjetshëm

Drejtësi
Kalo në kategori