Këngëtarja braziliane, Marilia Mendonça vdes nga rrëzimi i aeroplanit

Ylli brazilian i muzikës, Marilia Mendonça, ka ndërruar jetë në një aksident me aeroplan të premten (5 nëntor), në një rajon rural të shtetit juglindor të Minas Gerais, të Brazilit.
Ajo ishte rrugës për në një koncert në momentin e aksidentit, ku përveç këngëtares humbën jetën edhe katër persona të tjerë.
Mendonça, 26 vjeçe, ka lënë pas vetës djalin 1-vjeçar, sipas CNN Brasil.

Shkaku i rrëzimit është ende nën hetim, por në një deklaratë të premten, kompania e Minas Gerais (CEMIG) tha se avioni i Mendonçës kishte goditur një kabllo në një kullë elektrike që i përkiste firmës energjetike, shkruan CNN.
Shefi i policisë së Minas Gerais, Ivan Lopes Sales, tha në një konferencë shtypi të premten se ishte ende herët për të përcaktuar shkakun e rrëzimit, por shtoi se pjesët e shpërndara sugjeroinë se aeroplani kishte goditur diçka përpara se të binte.
Lajmi për vdekjen e fitueses të “Grammy Latine”, e njohur si "shefja" për miliona fansa, tronditi gjithë vendin të premten.
Emra të njohur brazilian, duke përfshirë yllin e futbollit Neymar, kujtuan yllin e muzikës.
“Refuzoj ta besoj, refuzoj”, ka shkruar futbollisti brazilian i PSG-së.
Mendonça u bë e njohur në zhanrin popullor të muzikës dhe la gjurmë duke kënduar për fuqizimin e grave në një mjedis tradicionalisht të dominuar nga muzikantë meshkuj.

Ajo ishte artistja më e dëgjuar në Brazil në Spotify në vitin 2019 dhe 2020, sipas firmës së saj PR, dhe kishte më shumë se 38 milionë ndjekës në Instagram.
Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro tha se "i gjithë vendi" ishte në "shok" për lajmin e vdekjes së saj, ndërsa guvernatori i Rio de Zhaneiros, Claudio Castro e quajti humbjen e saj një "aksident tragjik". /Telegrafi/
































































