Kënga “e keqe” që ndau grupin The Police

Nga: Ben Beaumont-Thomas / The Guardian (titulli: ‘A nasty little song, really rather evil’: how Every Breath You Take tore Sting and the Police apart)
Përkthimi: Telegrafi.com
Seancat e kësaj jave në Gjykatën e Lartë mes Stingut dhe ish-anëtarëve të grupit The Police, Stewart Copeland dhe Andy Summers, janë kapitulli më i fundit në jetën e një kënge energjia negative e së cilës duket se është përhapur edhe në jetën reale.
Every Breath You Take është objekt i një padie të ngritur nga Copelandi dhe Summersi kundër Stingut, duke pretenduar se ai ua ka borxh honorarët që lidhen me kontributet e tyre në këtë këngë jashtëzakonisht të njohur - veçanërisht nga të ardhurat prej platformave të transmetimit, të vlerësuara në rreth dy milionë dollarë [1.72 milionë euro] në total. Ekipi ligjor i Stingut ka kundërshtuar, duke thënë se marrëveshjet e mëparshme mes tij dhe anëtarëve të grupit për honorarët e tyre nga kënga nuk përfshijnë të ardhurat nga transmetimi në internet - dhe në dokumentet para-gjyqësore u tha se dyshja është paguar “më shumë seç duhet”. Në ditën e parë të seancës, u zbulua se që nga ngritja e padisë, Stingu ua ka paguar atyre 870 mijë dollarë [747 mijë euro] për të rregulluar atë që avokati i tij i quajti “disa pagesa”. Por, ende ka shumë të ardhura të mundshme të ardhshme që janë në diskutim.
Mosmarrëveshja nuk ka të bëjë me ndonjë hit të vjetër të pluhurosur, me anëtarët e grupit që kërkojnë thjesht të rishpërndajnë fitime të vjetra - çdo interpretim i marrëveshjeve mes anëtarëve të grupit do të ketë ndikim të madh dhe të vazhdueshëm financiar. Ndërkohë që seancat nisin, Every Breath You Take ndodhet në top 10-shen e këngëve më të transmetuara përditë në mbarë botën në Spotify, duke mbledhur rreth 3.5 milionë dëgjime në atë platformë secilën ditë: më shumë se disa nga këngët më të njohura të kohëve të fundit, si Birds of a Feather nga Billie Eilish dhe Die With a Smile nga Lady Gaga dhe Bruno Mars. Në Spotify, dëgjimet u rritën me 89 përqind në vitin 2024 dhe vazhduan kështu me një tjetër rritje prej 36 përqind vitin e kaluar, me popullaritet të veçantë në ShBA, Meksikë, Brazil, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar që janë tregjet më të mëdha të këngës.
Kjo e bën Every Breath You Take një motor tepër të fuqishëm për honorarët (d.m.th. të drejtave të autorit), që aktualisht po shkojnë kryesisht te Stingu (ai është i vetmi i regjistruar si autor, megjithëse Copelandi dhe Summersi marrin 15 përqindëshin përmes një marrëveshjeje që daton në vitin 1977). Every Breath You Take ka përfituar nga përfshirja në kolonën zanore të Stranger Things, duke u shfaqur në sezonin dy dhe katër, dhe si shumë këngë të tjera - teksa adhuruesit e rishikojnë gjithë sagën fantastiko-shkencore - ka marrë një shtysë në transmetim, por gjithashtu ka qenë shumë e pranishme edhe edhe jashtë serialit, si në TikTok.
Ajo ishte në vendin e parë në toplistat në Mbretërinë e Bashkuar dhe në ShBA kur u publikua fillimisht në vitin 1983. Dhe, kënga e vitit 1997, I’ll Be Missing You, një homazh pas vdekjes për Notorious B.I.G.-ut - nga Puff Daddy dhe Faith Evans që ndërthuri shumëçka nga ajo këngë - ishte një tjetër hit global. Por, suksesi i përjetshëm i Every Breath You Take fsheh format e ndryshme të konfliktit në zemër të saj.
Stingu ka thënë se synoi të shkruante një këngë “romantike, disi joshëse” dhe ka pranuar se ajo “nuk është aspak origjinale; ka një sekuencë standarde akordesh që ndoshta është vjedhur nga Stand By Me” e Ben E Kingut. (Ai gjithashtu ia ka atribuuar frymëzimin këngës Slip Slidin’ Away të Paul Simonit - detaje interesante për një seancë gjyqësore të përqendruar tek autorësia). Është aq klasike saqë studiuesit në Universitetin Arhus në Danimarkë e cilësuan si këngën më tërheqëse në lidhje me përputhjen me ritmet e jetës së përditshme: “Një këngë shumë e këndshme, ndoshta edhe pak e zakonshme”, ka thënë në vitin 2021, studiuesi kryesor i studimit.
Por, Every Breath You Take e merr fuqinë e saj nga marifeti djallëzor që shkakton te dëgjuesit. Stingu e cilësoi si baladë të lehtë me një strukturë qetësuese, të thjeshtë dhe klasike, mbushur me premtime për dashuri dhe mbështetje të përjetshme. Është pothuajse e mundur ta kuptosh fjalë për fjalë, dhe Faith Evans nuk kishte nevojë të ndryshonte diçka për ta kthyer në një këngë të pastër përkushtimi për burrin e saj të vdekur. Ajo interpretohet, pa ironi, në dasma. Por, Stingu i shtoi asaj atë që ai e quajti “detyrim, deri në pikën e obsesionit, ku kjo bëhet disi ligësi” - duke e cilësuar si deklaratë të sinqertë dashurie në fjalët e një përndjekësi që nuk mund të heq dorë.
Ka diçka pranë djallëzores në manipulimin e saj dhe Stingu - i cili e quajti atë “një këngë të ndyrë, vërtet djallëzore” - madje ndjeu nevojën për të zhbërë mallkimin me këngën e vitit 1985 që nisi solo-karrierën e tij, If You Love Someone Set Them Free. “Duhej të shkruaja antidotin”, tha ai, “pasi i helmova njerëzit me këtë gjë të tmerrshme.”
Every Breath You Take ishte gjithashtu makth për t’u realizuar, si gjithë albumi jashtëzakonisht i famshëm Synchronicity në të cilin ajo u përfshi. “Ata ishin lodhur nga njëri-tjetri”, ka thënë producenti i albumit, Hugh Padgham. “Stingu dhe Stewarti e urrenin njëri-tjetrin, dhe megjithëse Andy nuk tregonte aq pezëm, mund të bëhej i vrenjtur - dhe kishte si përplasje verbale ashtu edhe fizike në studio”. Ishte Every Breath You Take ajo që pothuajse i çoi drejt pikës së thyerjes, me Copelandin që ndihej i kufizuar nga modeli i ritmit të tupanëve të këngës. Padgham kujtoi: “Stewart thoshte: ‘Dua të vendos pjesën time të tupanëve në të’ dhe Sting thoshte: ‘Nuk dua të vendosësh pjesën tënde të tupanëve në të! Dua të vendosësh atë që dua unë!’... dhe vazhdonte kështu. Ishte vërtet e vështirë ... Mbaj mend mjaft qartë që punuam pandërprerë për 10 ditë ... dhe nuk kishim asgjë në shirit që të ishte e dëgjueshme”.
Nëse Copelandi ndihej i kufizuar nga vizioni i Stingut për këngën, Summersi ka pohuar se ai pati ndikim më të thellë në të: “Ishte e pavlerë derisa nuk interpretova unë në të”, tha ai më 2016. Duke iu përgjigjur një versioni demo të interpretuar nga Stingu mbi akorde organoje, Summers krijoi figurën e kitarës si një mënyrë “për t’i bërë të lumtur ata bastardët e tjerë. Ajo këngë ishte për t’u hedhur. Stingu dhe Stewarti nuk mund të pajtoheshin se si do të shkonin basi dhe tupanat. Ishim në mes të Synchronicity dhe Sting thoshte: ‘Hajde, pra, futu atje dhe bëje tënden’. Dhe, e bëra me të parën. Të gjithë u çuan dhe duartrokitën”.
Përleshjet fizike vazhduan në turneun e albumit, me Copelandin që ia theu një brinjë Stingut. Më pas Copelandi e përshkroi këtë si “lojë fizike”, por ndasitë u treguan tepër të thella. Stingu donte të eksploronte muzikën me të tjerët dhe The Police u shpërbënë në kulmin e suksesit të tyre, duke fituar reputacionin si një nga grupet më të përçara në historinë e rokut.
Një tjetër shaka e brendshme e grupit qëndron te Every Breath You Take. Siç tha Copelandi në vitin 2018: “Një nga shakatë tona të preferuara është se, kur Puff Daddy përdori Every Breath You Take në I’ll Be Missing You, ai përdori figurën e kitarës së Andyt, jo melodinë apo tekstin. Unë dhe Andy themi: ‘Hajde Sting, paguaje Andyn për honorarët e tij’. Dhe, Stingu thotë: ‘Në rregull Andy, ja ku janë ...’! Pa e afruar dorën te portofoli”.
Por, ajo shaka ka marrë tashmë formë shumë reale, dhe siç Every Breath You Take është e famshme si dikur, edhe marrëdhëniet në The Police mund të jenë po aq të këqija si në kohën kur u incizua. /Telegrafi/



















































