KE: Vendimi të përdoret për të forcuar, por jo dobësuar demokracinë në vend

Komisioni Evropian (KE) ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë për t’ia kthyer kreytarit të shtetit të drejtën e faljes së të denuarve për parregullsi zgjedhore, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Në deklaratën e saj për Deutsche Welle, zëdhënësja Maja Kocijançiç thotë se presin që t'i iket çdo veprimi që është në kundërshtim me Marrëveshjen e Përzhinos dhe reformat të cilat duhet ta kthejnë besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe ta nxjerrë vendin nga kriza politike, prandaj çfarëdo sugjestion për të mos dënuar vepra të lidhura me zgjedhjet do të jetë në kundërshtim me tentimet e vendit dhe të bashkësisë ndërkombëtare për krijuar kushte për mbajtje të zgjedhjeve të besueshme.
Më tej, Kocijançiç thotë se një vendim i tillë do të jetë në kundërshtim edhe me vendimin e parlamentit dhe partive politike për të formuar Prokurorinë Speciale, e cila duhet t'i shqyrtoj dhe ndjekë shkeljet, përfshirë edhe veprat që kanë të bëjnë me zgjedhjet e mëhershme, duke theksuar se pret që ky vendim të përdoret në drejtim të forcimit dhe jo të dobësimit të demokracisë./Telegrafi/
















































