Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shpreh shqetësimin që as në përpjekjen e 59-të, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk arriti të përmbyllë procesin e konstituimit.

Megjithëse u zgjodh Kryetari i Kuvendit dhe tre nënkryetarë nga subjektet më të mëdha parlamentare, KDI vlerëson se gjatë procesit të zgjedhjes së dy nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë ka pasur shkelje procedurale nga ana e Kryetarit të Kuvendit, përmes vendosjes së një procedure të ndarë votimi për kandidatin nga komuniteti serb dhe atë nga komunitetet tjera jo-shumicë.


Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese kanë përcaktuar se konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet edhe në bazë të praktikave të deritanishme sipas të cilave pesë (5) nënkryetarët e Kuvendit janë votuar në dy pako të ndara. Fryma e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 67), Rregullorës së Punës së Kuvendit (neni 12) dhe aktgjykimeve të Gjykatës nënvizon thelbësisht nevojën për konsesnsus dhe gjithpërfshirje gjatë votimit të kryetarit/es dhe nënkryetarëve.

Devijimi nga kjo procedurë jo vetëm që cenon procesin e konstituimit të Kuvendit por edhe pengon zbatimin e obligimeve kushtetuese për garantimin e përfshirjes së komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës.

KDI u bën thirrje subjekteve parlamentare që me përgjegjësi institucionale dhe duke pasur në prioritet interesin shtetëror, të përkushtohen për të gjetur një zgjidhje që përmbyll sa më parë procesin e konstituimit të Kuvendit në përputhje me frymën e Kushtetutës, Rregulloren e Punës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.