Asnjë seancë për krime lufte nuk është mbajtur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë që nga viti 2018. Seancat gjyqësore ndaj Zoran Vukotiqit, i cili akuzohet në tre procese të ndara për krime lufte dhe Sylejman Selimit, janë caktuar e më pas janë anuluar, ndër vite.
Artan Qerkini, avokat mbrojtës i Selimit, thotë se me këtë tejzgjatje të rastit, janë duke u shkelur të drejtat e klientit të tij.
“Në aspektin ligjor për organin e akuzës nuk mund të ketë pasoja sepse veprat penale të krimeve të luftës nuk parashkruhen. Por, për klientin tim z. Sylejman Selimi ka pasoja sepse atij nuk po i respektohet e drejta për një gjykim brenda afatit të arsyeshëm. Rasti i z. Sylejman Selmi është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme vetëm në lidhje me një vepër penale në rastin Drenica 1″.
“Në këtë çështje penale Gjykata Themelore në Mitrovicë dy herë ka caktuar seanca gjyqësore e të cilat ishin anuluar për shkak të gjendjes së krijuar me pandeminë Covid-19. Pas këtij anulimi të seancave gjyqësore rasti i është ndarë një gjyqtari, i cili në ndërkohë është pensionuar”, ka thënë ai.
Se të akuzuarve po u shkelen të drejtat, e thonë edhe në Fondin për të Drejtën Humanitare, të cilët në buletinin e publikuar ditë më parë, kanë kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të ndërmarrin masa të menjëhershme.
Zyrtarë të FDHK-së thonë se kështu u shkaktohet dëm edhe familjarëve të viktimave.
“ Që nga transferimi i kompetencave nga EULEXI tek gjyqësori vendor, pra prej vitit 2018 asnjë seancë nuk është caktuar në këto 4 raste, dhe Fondi për të Drejtën Humanitare përmes monitorimit, dhe përmes gjetjeve ka kërkuar nga KGJK që të ndërmerr masat që këto raste të caktohen sa më shpejtë dhe të caktohet gjykimi”, ka deklaruar Amer Alija nga FDHK-ja.
Në lidhje me arsyet e mosmbajtjes së seancave për gjatë këtyre viteve për këto raste dhe nëse do të ketë ndonjë ndëshkim për gjyqtarët, nuk kanë kthyer përgjigje nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, e as nga Këshilli Gjyqësor.
Ndërkohë, në Ministrinë e Drejtësisë ndonëse thonë se nuk janë përgjegjës për të folur për rastet konkrete, por që Ministria ua ka ofruar të gjitha kushtet për të kryer punën bazuar në ligj.
“Brenda kompetencave të Ministrisë së Drejtësisë, ne kemi ndërmarrë ato masat e nevojshme për shtimin e numrit të prokurorëve, pra kemi marrë plus katër prokurorë dhe gjashtë bashkëpunëtorë, kemi adresuar ligjin për institutin e krimeve të luftës”, ka deklaruar zëdhënësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë vitit 2022 janë mbajtur 21 seanca për krime lufte në gjykatat në Kosovë, në shkallën e parë dhe të dytën, e janë arrestuar tre të dyshuar për krime lufte./RTVDukagjini/