Kastrioti eliminohet nga Kupa Evropiane – Differdange më i fortë në të dy ndeshjet

Kastrioti i Ferizajt e ka përfunduar rrugëtimin në Kupën Evropiane për hendboll, pasi u eliminua në raundin e dytë nga kampioni i Luksemburgut, Red Boys Differdange.
Skuadra ferizajase nuk arriti të përmbysë disavantazhin e ndeshjes së parë, ku Differdange kishte fituar 31:28 të premten në Lipjan. Edhe në takimin e kthimit, të zhvilluar të shtunën në Ferizaj, kampionët e Luksemburgut triumfuan me rezultat 29:26.
Pjesa e parë e ndeshjes u zhvillua me intensitet të lartë dhe përfundoi në barazim 15:15, duke mbajtur gjallë shpresat e vendasve. Në fraksionin e dytë, Kastrioti e nisi më mirë, por Differdange shfrytëzoi përvojën dhe efikasitetin për të marrë epërsinë dhe për ta ruajtur atë deri në fund.
Te Kastrioti u dalluan Jeton Bislimi dhe Alban Haziri me nga 6 gola, ndërsa Adonit Isufi dhe Festim Mustafa shtuan nga 4. Portieri Wadi Chebbi regjistroi 10 pritje gjatë takimit.
Pas eliminimit nga Evropa, Kastrioti do të fokusohet tani në garat vendore, ku synon të luftojë për kreun e Superligës së Kosovës në hendboll./Telegrafi

















































