Isak Ahmeti
SEMANTIKA E FJALËS KANUN
Kanuni, sipas Fjalorit të Gjuhës së sotme Shqipe është përmbledhje ligjesh e normash të pashkruara, të trashëguara brez pas brezi, që pasqyrojnë gjendjen ekonomike-shoqërore të periudhave të kaluara dhe që në kohën e vet mbronin interesat e klasave të shtresave të caktuara shoqërore; është tërësia e normave të së drejtës zakonore. Për më tepër fjala kanun është marrë nga gjuha sumeriane (gi, Rohr), dhe ajo akadiane (qanu, Rohr) për t`arritur deri tek gjuha hebraike (qane, Rohr) dhe që andej është marrë nga greqishtja (kanna, Rohr) dhe kështu është zhvilluar më tutje në kanon, me kuptimin “regull, normë”. Termi kanun, sipas historianit Kristo Frashëri, është me origjinë bizantine, rrjedh nga kanon “vizuar”, me kuptimin metaforik “vijë e drejtë” dhe më tej “normë që dikton rrugën e të vepruarit drejt”.
Pra kanun në veri, ashtu si venom në jug, kishte kuptimin e një norme juridike, të cilën bizantinët e quanin “sindagma” (kod) dhe turqisht “kanun-name”.
Shqiptarët kanë disa kanune, si për shembull, Kanuni i Skënderbeut, Kanuni i Malësisë së Madhe, Kanuni i Labërisë, Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe me fjalën kanun ata kuptojnë edhe sot korpusin e së drejtës së pashkruar. Mirëpo këtu, në 600-vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, do shqyrtojmë KANUNIN E SKËNDERBEUT, që në një formë të shkruar, nga forma gojore e zgjeruar e tij, është bërë për herë të parë nga Dom Frano ILIA.
KANUNI I SKËNDERBEUT – I ARBËRIT
Me hulumtimin, grumbullimin e materialeve të së drejtës zakonore skënderbegiane ishin marrë studiues të ndryshëm si: Marin Sirdani Qemal Haxhihasani, Zef Valentini, Rrok Zojzi, Kristo Frashëri, etj.. Mirëpo punën e tyre e ka tejkaluar, i vetmi dhe i pari deri më sot, Dom Frano ILIA, i cili materialin e grumbulluar e ka sistemuar në trajtën e një kodi monumental, të cilin e botoi, pas vuajtjeve dhe peripetive të mëdha e të shumta, më 1993, e jo më 1996 siç shkruan historiani ynë i nderuar Kristo Frashëri. Ndryshe nga etnografët e tjerë, materialet e së drejtës zakonore, që Dom Frano ILIA e grumbulloi, jo vetëm në Krahinën e Kurbinit, por edhe në krahinat për rreth, të Shqipërisë Qendrore, i pagëzoi me të drejtë me emrin: KANUNI I SKËNDERBEUT. Veprova keshtu, shkruan në Paradhanje Dom ILIA, mbasi vërtetova mirë se të gjitha këto krahina kishin një “kanun” të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Heroit kombëtar. Këto norma të së drejtës së pashkruar, që janë regjistruar me një pedantëri të rrallë nga etnografi ynë i madh kanë qenë në fuqi jo vetëm në periudhën e Motit të Madh, por edhe më pas. Që Kanuni i Skënderbeut vepronte edhe në shek. XIX, për shembull, në Malësinë e Dibrës, kemi dëshmi jovetëm nga Hahn-i por edhe nga konsulli rus, M. Hirtovi, i cili, ndër të tjera, ka shënuar se në Dibrën e Poshtme ishte ende në fuqi „një farë kanuni i lashtë, i trashëguar gojarisht brez pas brezi, që i atribuohet prijësit të lavdishëm shqiptar, Gjergj Katriotit, i cili njihet me emrin e Kanunit të Skëndërbeut“ mirëpo e drejta qëndron në faktin se Kanuni i Skënderbeut, sipas materialit dhe dëshmisë konkrete, shtrihej në Shqipërinë Qendrore ndër krahinat e Principatës së Kastriotëve e të ndikimit të tyre: Krujë, Mat, Dibër, Valm (Elbasan), prej lumejve Mat-Fand në veri e deri poshtë lumit Shkumbim (Librazhd) në jug, dhe prej Detit Adriatik në perëndim e deri në kufijt më lindorë të Dibrës e të Ohrit në lindje.
Ky kanun themelet i ka të përbashkët me kanunet e maleve shqiptare. Thirret i Skënderbeut, pse ky (Skënderbeu) bëri disa ligje kanunore të veçanta për krahinat e veta dhe të ndikimit të vet. Prandaj mund të quhet edhe Kanuni i Arbërit. Ç`është e vërteta, edhe tradita popullore e paraqet Gjergj Kastriotin-Skënderbeun si ligjvënës, kur thotë “Skënderbeu vuri kanun se gjaku nuk ngel për faj”. Madje nga normat kanunore të pleqëruara nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, tradita popullore e ka ruajtur kujtimin e disave prej tyre. Kështu, për shembull, dy etnografët tanë të shquar, Marin Sirdani dhe Qemal Haxhihasani kanë regjistruar, në viset e dikurshme të Kastriotëve, gjashtë norma kanunore që lidhen drejtpërsëdrejt me emrin e Gjergj Kastriotit. Për shembull, Skëndërbeu, ku pa se po bëheshin shumë gjaqe, la në kanun “gjaku nuk ngelet për faj”. Në praktikë, sipas këtij kanuni, në rast se faji shpaguhet me vrasje, kjo vrasje nuk mund të bëhet objekt i gjakmarrjes. Rëndësia e normave të Skëndërbeut, sipas K. Frashërit, mund të kuptohet nëse kemi parasysh regjimin shoqëror që sundonte në malësitë e trevës së Kastriotëve në shek. XV dhe nevoja që kishte për ta lufta për çlirimtare skënderbegiane. Ç`është e vërteta, normat kanunore apo pleqërimet e mirëfillta të Gjergj Kastriotit, siç ka vërejtur edhe K. Frashëri kanë shënuar një hap përpara në krahasim me parimet e lashta të së drejtës së pashkruar, që sundonin akoma në shek e XV. Me zbatimin e tyre, organizimi shoqërorë i malësoreve i shërbeu më mirë se me normat e mëparshme, luftës antiosmane. Karakteri i tyre progresiv dhe zulmi i pavdekshëm i Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut janë dy arsye të forta që shpjegojnë përse emri i tij iu vesh mbarë së drejtës kanunore që sundonte në Shqipërinë e Mesme.
STRUKTURA E KANUNIT TË SKËNDËRBEUT
Vepra Kanuni i Skënderbeut, mbledhur dhe kodifikuar nga Dom F. Ilia dhe botuar më 1993, nga autori, me ndihmën materiale jo nga Atdheu i tij (?!), por nga Italia, është vepër monumentale, që përmban një material të pasur, i cili ka një rëndësi të shumëfisht për studime shkencore jo vetëm në lëmin juridik, por edhe në disiplinat e tjera të shkencës. Sepse Kanuni i Skënderbeut nuk është vetëm një përmbledhje e thjeshtë e zakoneve, traditave dhe normale të rralla të një qytetërimi të caktuar, por edhe një vepër monumentale ku spikasin vlerat e larta etike dhe shoqërore në sajë të të cilave ai (shqiptari) ka mbijetuar shekujt e robërisë. Për më tepër, në Kanunin e Skënderbeut, përmblidhet normativa që ka të bëj me: familjen, shtëpinë, detyrimet, qeverimi, ndëshkimet, fajet e damet dhe kishën. Pra siç shihet edhe nga kjo përmbajtje, ky kanun përbëhet nga shtatë pjesë, nga shtatë libra do thoshim. Përveç këtyre pjesëve, Kanuni i Skënderbeut ka edhe Hymjen, që përbëhet prej tre artikujve: Art. I – Shtrimja (1-7), Art. II – Kanuni e autori i tij (8-9), dhe Art. III – E drejta dhe fuqia me ba ligje të reja kanunore (2049). Ndërkaq i tërë Kanuni përmban gjithsejt 3534 nene. Secili nen dhe artikull është interesant, rregullon, normon dhe përcakton aspektet më të ndryshme të jetës shoqërore shqiptare.
Duke u marrë me shqyrtimin dhe vlerësimin e Kanunit të Skënderbeut është me rëndësi të vlerësohet edhe njëherë, ashtu siç ka vlersuar edhe kodifikuesi i tij Dom Ilia, se ai, pra Kanuni i Skënderbeut, sot është historik, por “jeton si i mbuluem prej kohës dhe qet kryet dhe vepon në çdo rrethanë anarkie”.
“Ai asht rrajë e drejtësisë, e parimet e tija që në thellësi të shekujve mbeten themel për çdo legjislacion shqiptar të gjitha kohve, në ma të ndryshmet rethana. Ai asht fryt i njij mendehollësie të vazhdueshme e të mahnitshme të popullit tonë”.
Për më tepër, duke e vështruar në tërësi veprën, problematikën që ajo përfshin, gjërësinë e çështjeve që normon dhe trajton, mund të themi se Kanuni i cekun nuk është vetëm një përmbledhje e thjeshtë e zakoneve, traditave, psikologjisë dhe urtësisë së malësorëve, por ajo është një vepër me permasa shumë të gjëra. Si vepër monumentale na ofron një materie shumë më të gjërë e të pasur të jetës shqiptare të viseve ku shtrihej dikur sundimi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Vepra në fjalë, pos si material juridik duhet vështrohet edhe si vepër që prekë edhe sferën e letërisë popullore, sepse nëpër faqet e Kanunit kemi edhe vlera latrare, fraza dhe proverba popullore, në të cilat shohim të kondensuar urtësinë e malësorëve, formën koncize e lapidare të shprehjes së mendimeve që aq shumë çmohej dhe çmohet nga populli shqiptar. Aty kemi një të folme, siç e thotë në Parathanje edhe kodifikuesi, është e të gjitha popullsive të kanunit dhe e shumicës së shkrimtareve më të rëndësishëm të vjetër e të rinjë të kulturës shqiptare. Kjo vepër, siç e ka vënë re edhe Zejnullah Rrahmani, mund të konsiderohet e rëndësishme për shkrimet e letërisë në të ardhmen, sidomos për prozën shqipe. Me një fjalë, kjo vepër do të jetë burim i rëndësishëm për shkrimin letrar shqip.
Ç`është e vërteta, në veprën e kodifikuar të Dom Franos qëllimi kryesor ishte që në formën e një KODI MONUMENTAL të shënoheshin e të ruheshin jo vetëm zakone e norma juridike të vjetra, që lidheshin për emrin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por njëkohësisht të viheshin në pah edhe tiparet e cilësitë themelore të psikologjisë e të shpirtit të shqiptarit, vyrtyti i tij, çiltëria, bujaria, krenaria, drejtësia, urtësia, dashuria, nderi, besa, burrëria, mikpritja, dialogu pleqërues, toleranca etj.. Përveç kësaj ky Kanun ka edhe vlerën historike, qytetëruese, patriotike, dokesore, dhoqërore dhe etike.
PËRMBYLLJE
Në përmbyllje të këtij shkrimi le të theksojmë në mënyrë të veçantë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e ka pas kanunin fort të mirë “qi pa gjikue nuk ka ba burg as nuk ka ba syrgin”. Në përgjithësi, edhe pse Gjergj Kstrioti krijoi një shtet të përqendruar, edhe pse mori tiparet e një shteti absolut, ai kurrë nuk veproi si, për shembul, Stefan Dushani. Përkundrazi, ai ndoqi shembullin e Perandorisë Bizantine, e cila edhe pse e qeverisi vendin sipas ligjeve (nomos) të lëshuara nga pushteti qendror, nuk i preku normat e lashta që gezonin bashkësitë krahinore, pra të drejtën vetëqeverisëse të brendshme. Ai ndërhyri vetëm në disa raste të veçanta në këtë fushë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
ASHIK QERIBI
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Konfiteori i artistit
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme