Ish- kryetari i Junikut, Agron Kuçi i cili tani është në garë për të parin e Junikut, ka denoncuar kërcënimet që thotë se i kanë shkuar pasi ai tregoi publikisht për disa skandale dhe keqpërdorime në ditën e zgjedhjeve.

“Pas denoncimit publik të skandaleve dhe keqpërdorimeve zgjedhore të ndodhura në komunën tonë, të kryera nga individë e grupe që nuk ia duan të mirën Junikut, sot jam përballur me një tjetër akt të ulët kërcënime me jetë dhe tentativa për frikësim e shantazh”- ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.


Sipas kandidatit nga radhët e AAK-së, përveç tentativave përmes personave që kanë shkuar në shtëpinë e tij për të udhëzuar që të tërhiqet nga denoncimi që thotë se e ka bërë për manipulim të listës së votuesve, sot i njëjti thotë se ka pranuar kërcënime direkt nga një zyrtar komunal.

“Edhe gjatë fushatës ka pasur kërcënime indirekte nga aktivistë të kësaj partie, por i kam injoruar për të ruajtur qetësinë në Junik dhe për të mos e dëmtuar procesin zgjedhor. Megjithatë, kërcënime si këto të sotit nuk mund t’i injoroj, prandaj rastin e kam paraqitur në organet kompetente”- ka shkruar tutje Kuçi.