Kampioni në fuqi i Superligës së Kosovës në futboll, Drita, e ka nisur me një fitore të thellë ndaj KEK-ut (5-0), ndeshjen e parë në sezonin e ri 2018/2019.

Në ndeshjen e zhvilluar pa tifozë në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, nikoqirët e dominuan gjysmën e parë, mirëpo shënuan vetëm një gol. Ishte një goditje e bukur e Endrit Krasniqit nga jashtë zonës që u ndal në rrjetë (22').


Drita e dominoi edhe fraksionin e dytë të lojës, por kësaj radhe arriti të shënojë edhe më shumë gola.

Betim Haxhimusa u gjend më së miri në zonë (66'), kur pas një topi të Liridon Lecit, shënoi në tentativën e dytë.

Endrit Krasniqi realizoi sërish një gol të bukur (74'), ndërsa Fidan Gerbeshi e shënoi golin e katërt nga penalltia (79').

Rezultatin përfundimtar e vendosi Betim Haxhimusa (85'), me golin e dytë personal në këtë përballje.

Në ndeshjen tjetër, Flamurtari ka fituar me rezultat 1-0 kundër Ferizajt, në ndeshjen e parë në sezonin e ri në Superligë.

Goli i vetëm në këtë sfidë u realizua në gjysmën e parë (17'), ndërsa golashënues ishte Alban Shillova. /Telegrafi/

telegrafi sport app