LAJMI I FUNDIT:

Kampion në harxhime, ‘katastrofë’ me rezultate

Kampion në harxhime, ‘katastrofë’ me rezultate

Shpenzuan shumë para dhe jozyrtarisht mësohet se janë në mesin e tri skuadrave që kanë harxhuar më së shumti në Superligë, vetëm e vetëm që të krijojnë një skuadër për të fituar titullin e kampionit.

Transferua 10 lojtarë, ndër më cilësorët në vend, po ashtu edhe trajnerin e njohur, Gani Sejdiun, që është ndër më të shtrenjtit dhe më të suksesshmit në Kosovë.

Bëhet fjalë për Besën e Pejës, e cila me ndeshjet që ka treguar deri me tani dhe rezultatet që i ka arritur në fushë, titullin vetëm mund ta ëndërrojë.


Xhevdet Shabani, Qemail Elshani, Arbër Prekazi, Granit Kolshi, Arben Beqiri, Edmond Turku, Leart Emini, Shkëlqim Pacolli dhe Dukagjin e Fatlum Gashi, erdhën si përforcime të mëdha, me të vetmin qëllim, titullin dhe kupën, por deri me tani përveç Qemail Elshanit që ka shënuar 7 gola dhe Xhevdet Shabanit e Arbër Prekazit deri diku, paraqitjet e të tjerëve lënë shumë për të dëshiruar.

Pas 11 xhirove të luajtura, Besa renditet e pesta me 17 pikë, 13 më pak se Trepça ’89 që është e para dhe duket e pakapshme, por kampionati është i gjatë dhe mund të ndodhin befasitë!.

4 fitore, 5 barazime dhe 2 humbje, nuk po i pëlqejnë aspak kryetrajnerit të pejanëve, Gani Sejdiut.

Sidomos barazimi i fundit në shtëpi në duel me Gjilanin 0:0, si duket e ka ‘çmendur’ Sejdiun, i cili thuhet se e ka ofruar edhe dorëheqjen, por që nuk është pranuar nga kryesia e klubit.

Besën e Sejdiut e pret edhe një ndeshje shumë e vështirë të mërkurën, ku në Pejë është nikoqire e Feronikelit dhe nëse edhe në këtë ndeshje nuk arrijnë fitore, përfundimisht investimet e Besës mund të cilësohen të dështuara ende pa përfunduar gjysma e kampionatit.

Por, nuk është hera e parë që Besa harxhon shumë para dhe në fund nuk fiton asgjë.

Në gjë e tillë po ndodhë viteve të fundit, ku edhe në kohën e Arbnor Morinës, kishte investime të shumta, por krejt çka arritën të bëjnë ishte të shpallën nënkampion para dy sezoneve./Infokusi.com/