Marrëveshja Kosovë – Serbi, sipas analistit Belgzim Kamberi, shihet si urgjente nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kamberi në RTV Dukagjini, tha se deri në takimin e 18 marsit në Ohër, do të ketë presion të vazhdueshëm nga ndërkombëtarët te Kosova dhe Serbia.
Nëse sipas tij nuk nënshkruhet marrëveshja me 18 mars në Ohër, ajo mund të nënshkruhet pak më vonë në kryeqytetin e Francës apo të Gjermanisë.
Tutje ai tha se në Ohër mund të ketë pajtim për Planin e Zbatimit e marrëveshja të nënshkruhet më vonë.
“Është e ndërlidhur me pushtimin e Ukrainës, që në muajt e fundit që ka filluar kjo dinamikë me e madhe, shihet që për perëndimin kjo çështje është urgjencë, dhe është në interes të BE-së dhe SHBA-së. Nëse nuk kemi nënshkrim të marrëveshjes, pres së paku të ketë pajtim për planin e zbatimit, por në anën tjetër do të ketë shumë shpejt, nëse nuk ka nënshkrim në OHËR, me shumë gjasë mund të pritet të ketë nënshkrim në Paris apo Berlin, ku perëndimi do ta paraqiste këtë marrëveshje si sukses të saj dhe si një fitore të diplomacisë perëndimore”, ka deklaruar ai.
Kamberi tha se Vuçiq, e paraqet veten si të rrezikuar dhe Serbinë nga qarqet radikale, por që sipas tij këtë e bën vetëm për konsum të brendshëm.
Ai tha se BE, e kanë të qartë se marrëveshja mund të bëhet me Kurtin dhe Vuçiq, sepse kanë votë të madhe popullore.