Site icon Telegrafi

“Kam refuzuar Man Cityn dhe Aston Villan”, Valon Berisha zbulon ofertat nga gjigantët e Ligës Premier

Reprezentuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha ka deklaruar se në të kaluarën ka pasur oferta nga tri klube të mëdha të Ligës Premier, por ato i ka refuzuar pasi ka menduar se nuk ka qenë koha e duhur.

Valon Berisha padyshim është njëri nga emrat më të mëdhenj të Përfaqësueses së Kosovës, pasi për shumë vite ka luajtur në nivele të mëdha me klube të ndryshme evropiane.

Megjithatë, mesfushori me tipare sulmuese në fëmijërinë e tij ka mundur ta bëjë hapin e madh për ta vendosur veten në kampionatin më elitar evropian, Ligën Premier.

30-vjeçari ka zbuluar se në moshën 14 apo 15 vjeç ai ka pasur prova dhe oferta nga klubet e njohura angleze si Chelsea, Manchester City dhe Aston Villa, por të cilat i ka refuzuar.

“Chelsea ka qenë skuadra e parë që kam qenë në prova si 14-vjeçar. Aty kam qenë tri herë. Pastaj kam qenë në Aston Villa dhe Manchester City”, ka thënë fillimisht Berisha për Radio Dukagjini.

“Këto dy të fundit më kanë ofruar edhe oferta të mira për moshën që kam pasur. Më kanë ofruar edhe studimet anash, por e kam ndier veten shumë të ri për tu larguar nga familja për të jetuar vetëm”.

“Përveç tyre e kam pasur një familje që i ka shikuar aspektin e edukatës dhe shkollimit shumë dhe kjo më ka bërë që ta marrë vendimin për të qëndruar në Norvegji për të përfunduar shkollën dhe me qenë më afër familjes”.

“Mosha nuk ka qenë më e mira pasi me 14-15 vjet je ende fëmijë dhe për këtë kam vendos me qëndrua në Norvegji”, përfundoi ylli i Kosovës.

Ndryshe, Berisha karrierën e ka filluar në Norvegji, ku ka luajtur me klube si Egersund dhe Viking, për të kaluar pastaj te RB Salzburg, Lazio, Fortuna Dusseldorf, Stade Reims, Melbourne City dhe tani te LASK.

Berisha ka luajtur në të gjitha ekipet e moshave me kombëtaren e Norvegjisë, por me pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, ai ka zgjedhur Dardanët për t’i përfaqësuar, duke luajtur plotë 40 ndeshje deri tani. /Telegrafi/

Exit mobile version