Në episodin e radhës të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafire është futbollistja e njohur kosovare Kaltrina Biqkaj, ylli i klubit turk Trabzonspor dhe një nga emrat më të spikatur të futbollit të femrave në rajon.

Në një intervistë të sinqertë dhe emocionale, Biqkaj rrëfen debutimin e saj të hershëm në ekipin e parë në moshën vetëm 12-vjeçare, me leje të veçantë, si dhe përballjet me djem gjatë fëmijërisë – mes tyre edhe me Lirim Kastratin, në turne shkollorë në fshat.


Futbollistja tregon se ka qenë shumë pranë tërheqjes nga sporti, por një ofertë nga Turqia i ndryshoi tërësisht rrjedhën e jetës. Transferimi në Trabzonspor dhe kalimi në një nivel të ri profesional solli jo vetëm rikthimin e motivimit, por edhe shpërthimin e saj.

Në bisedë, Kaltrina rrëfen edhe momentin kur zgjodhi Kosovën përpara Shqipërisë, duke debutuar me fanellën e “Dardaneve”. Ajo flet për sfidat me lojtare ndërkombëtare, përfshirë një që tani është kampione e Evropës, dhe zbulon se si është një ditë e zakonshme e saj në Trabzon.

Ndër të tjera, ajo flet për çështje të rëndësishme si barazia në pagesa mes futbollistëve meshkuj dhe femra, si dhe zbulon ëndrrën e saj më të madhe për ta përmbushur karrierën. Një moment i veçantë i episodit është edhe ai kur Kaltrina tregon se nuk e dinte se ishte shpallur golashënuesja e vitit nga FFK, derisa u befasua me çmimin.

Këtë podcast mund ta ndiqni në TV Dukagjini çdo të shtune nga ora 17:10, ndërsa nuk do të ishte i mundur pa përkrahjen e sponsorit tonë Golden Eagle Energy Drink/Telegrafi/

telegrafi sport app