Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, deklaroi se shteti i tij do të padisë në gjykatë për të kundërshtuar tarifat që ka vendosur presidenti amerikan, Donald Trump.

Sipas deklaratës, padia do të sfidojë përdorimin nga ana e Trumpit të Ligjit Ndërkombëtar për Kompetenca Ekonomike Emergjente për të vendosur tarifa ndaj Meksikës, Kanadasë dhe Kinës.


Ky ligj i jep presidentit të drejtën të pezullojë dhe të bllokojë transaksione si përgjigje ndaj kërcënimeve të huaja, shkruan ft.

Padia, e cila do të paraqitet në Gjykatën Federale të Rrethit Verior të Kalifornisë, gjithashtu do të argumentojë se për vendosjen e këtyre tarifave nevojitet miratimi i Kongresit, thuhet në deklaratën për shtyp të zyrës së Newsomit.

Ky i fundit thekson se tarifat aktuale kanë shkaktuar kosto të mëdha dhe miliarda dollarë dëme në Kaliforni, që ka ekonominë më të madhe ndër shtetet amerikane dhe është një eksportues i rëndësishëm.

"Tarifat e paligjshme të presidentit Trump po shkaktojnë kaos në familjet kaliforniane, bizneset dhe ekonominë tonë – po rrisin çmimet dhe po rrezikojnë vendet e punës. Ne po qëndrojmë në mbrojtje të familjeve amerikane që nuk mund të përballojnë vazhdimin e këtij kaosi", deklaroi Newsom.

Ndryshe, Trump i ka vendosur tarifa edhe Kosovës deri në 10 për qind. /Telegrafi/