Tash, kur sezoni i transfereve dhe rekrutimeve është në vlugun më të madh, po bëhen përpjekje të ethshme që të na futni në njërin nga taboret politike. Nëse je kundër pozitës kleptokratike, je me opozitën mjerane apo anarkiste. Domethënë, sipas kësaj logjike infantile, që vetëm mendja juaj mund ta prodhojë, ne duhet të pozicionohemi doemos në njërin grup (para)politik. Mirëpo, ka shumë probleme në lidhje me këtë (mos)pozicionimin tonë.

Së pari, ne nuk jemi pakicë. Ne, që nuk jemi me ju, jemi të shumtët e këtij vendi dhe ju, më mirë se ne, e dini këtë shumë mirë. Ne, nuk ju duartrokasim juve, sepse në mesin e tjerave, ne nuk jemi militantë partiakë. Ne ende kemi një ndjenjë humaniteti në shpirtrat tanë të sfilitur nga mjerimi që ju na e shkaktoni.


Arsyeja tjetër: ju jeni një, ne jemi të tjerët. Ju mund të bëheni secili me secilin, ndërsa ne nuk mund të bëhemi me asnjërin nga ju. Kurrë! Ju shani njëri-tjetrin, gjuani gurë (metaforikisht dhe realisht) në njëri-tjetrin, ndaheni nga njëri-tjetri, shpejt bashkoheni dhe prapë ndaheni; pastaj fyeni, baltosni, klithni, për t’u bashkuar përsëri rreth sofrës, vetëm për të mos na lejuar të kuptojmë çfarë po ndodhë. Ne, mbetemi të njëjtit, të uritur, të zbathur e të zhveshur, por jo të zhveshur sa ju.

Ju keni në dorë shtetin, pushtetin, forcën, paranë, ideologjinë, primatin për patriotizëm e kombëtarizëm (sidomos për folklorizëm të pështirë), dhe mendoni se na keni mposhtur. Ju mendoni se ia keni arritur të na bëni indiferentë. Por, duhet ta dini se ne nuk jemi të tillë. Nga hendeku, ku na keni hedhur, të privuar nga shumëçka, ne shfrytëzojmë një mjet që ende e kemi në dispozicion - refuzimin. Ne shikojmë drejt yjeve dhe në atë rrugë (dhe ky është një ngushëllim), nuk jeni ju. Hiq! Askund! Shikojmë - dhe shih çudinë, shikimi është edhe udhëtim në këtë rrugë - ndërtojmë veten dhe ndërtojmë refuzimin ndaj së keqes! Mbasi ju nuk keni qasje në këtë rrugën tonë, ju mbulojnë mornicat. Tërë kohën pastaj jeni në ethe! Kjo për shkak se thellë brenda vetes suaj, ju ndjeni frikë nga ne. Një frikë të llahtarshme që mundoheni ta mposhtni duke na ngulur edhe më shumë në baltën e hendekut, ku këmbët tona po kalben.

Është e vërtetë se na keni zhytur thellë. Këmbët nuk mund t’i lëvizim dhe duart tona janë në dheun e ftohtë. Gjymtyrët na i keni bllokuar, por ende nuk jeni të qetë. Nga lart hendekut, duke u përpjekur mos t’i përbaltni këpucët firmato, i shihni ende pjesët e trupit nga të cilat frikësoheni aq shumë. Sytë tanë ende shohin e shikojnë. Veshët tanë ende dëgjojnë gënjeshtrat tuaja. Goja jonë ende punon që ta themi të vërtetën. Dhe, çka ju tmerron më shumë, nën lëkurën tonë të nxirë nga ushqimet e skaduara (që sillen këtu e shiten me bekimin tuaj), rrah zemra jonë. Ah... ajo zemër që e di se ju jeni turpi ynë. Dhe, me lemeri e me panik, pa u kujdesur për rrobat tuaja të shtrenjta, duke qitur shkumë nga goja, afroheni me vrull dhe na fusni edhe më thellë në baltë.

Megjithatë, shpejt do ta kuptoni se nuk jeni ju fituesit. Bashkë me refuzimin, ne po e ushtrojmë edhe një mjet të fortë kundër jush: emancipimin. Tmerroheni nga kjo taktikë jona e re. Nuk dini si të reagoni kundër saj. Fytyrat tuaja erren dhe ndjeheni të pafuqishëm. Si t’ia bëjmë, ju lusin për këshillë militantët tuaj të mjerë, kur ju i thirrni t’i qortoni, përbuzni, ndërroni dhe torturoni. Çuditeni dhe tmerroheni edhe ju: keni menduar se i keni heshtur të gjitha institucionet nga vjen drita e emancipimit.

Dikur, të demoralizuar dhe të mposhtur nga refuzimi jonë, nën një tymnajë, që vetë do ta krijoni, ju do të veniteni! Pastaj, do të zhdukeni nga sytë tanë, do të zhdukeni nga historia. Pas vetes tuaj do ta lëni rezultatin e krejt kësaj: ju keni arritur të na zhytni thellë në një baltë, nga e cila askush nuk e di se kur dhe a do të dalim ndonjëherë.

P.S. Një shpjegim i shkurtër:

Ne: Jemi shumica e popullatës së këtij vendi. Ata që nuk u duartrokasin politikanëve të sotshëm, nuk dalin në tubime, nuk janë militantë partiakë, nuk dalin në zgjedhje ku dihet se kush do të fitojë, refuzojnë gjithçka që këto garnitura prodhojnë dhe refuzojnë antivlerat, esencë e të cilave këto garnitura janë.

Ju: Jeni të gjithë ata që merreni me politikë, pa marrë parasysh a jeni në pozitë apo opozitë, pa marrë parasysh a u takoni enveristëve, pacifistëve që iu lëpihen enveristëve apo maoistëve të cilët sot gjuajnë gurë të vegjël në pushtet dhe shtet, që nesër të gjuajnë gurë të mëdhenj në ne. Me një fjalë: Ju, që jeni një!