Bardhësia e mbulesës mbi tavolinë dhe mureve përreth thyhet nga vizatimet dhe lapsat shumëngjyrësh, të lënë në dhomën e rekreacionit në Qendrën për Integrimin dhe Rehabilitimin e të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë (QIRSKP) nga pacientët e kësaj qendre në Shtime.
Në mesin e vizatimeve të ndodhura aty janë edhe ilustrime të disa shtëpive – shtëpi me kulme në ngjyrë të kuqe, të rrethuara me oborre të gjelbëruara dhe të zbukuruara nga drunj dhe bimë të ndryshme.
“Shumica vizatojnë shtëpi, gjë që të lë ta kuptosh mallin që kanë për familjen”, thotë për REL-in psikologu i kësaj qendre, Besnik Sadiku.
Ëndrrat për një jetë të zakonshme shtëpiake reflektohen edhe në bisedat që stafi i kësaj qendre bën me pacientët. Donika – emër i vendosur nga redaksia, për ta ruajtur anonimitetin e pacientes – qëndron e qeshur, e ulur në atë tavolinë përkrah katër punëtorëve të kësaj qendre, teksa u tregon atyre për nipat e mbesat e saj.
“E pata bërë një ndryshim, i bëra flokët e bardha, sepse djali i motrës më thoshte se dukem si një këngëtare e famshme”, u thotë Donika punëtorëve të ulur në një tavolinë me të.
Në mesin e personave qe gjenden rreth tavolinës – ku të pranishmit ngacmojnë njëri-tjetrin me shaka – është edhe punëtorja sociale, Shpresa Halimi. Donika dhe pacientët e tjerë të kësaj qendre mbështeten në Halimin kur kanë nevojë t’i përditësojnë dokumentet e identifikimit, të marrin leje për të dalë jashtë qendrës apo për të takuar e biseduar me familjarë.
Të 61 pacientët e QIRSKP-së kanë të drejtë të shkojnë te familjarët e tyre gjatë fundjavës për vizita. Halimi i dërgon ata vetë atje kur familjarët e tyre nuk kanë mundësi të vijnë t’i marrin.
“Rreth 70 për qind e punës që e bëj këtu është humanitet, këto gjëra i bëj për zemër e jo që i kemi obliguese”, thotë Halimi, e cila më vonë vazhdon bisedën me Laurën – emër i vendosur nga redaksia.
Laura i kërkon ta dërgojë te motra e saj në fshatin Dyz të Podujevës – kërkesë të cilën Halimi i premton se do t’ia realizojë kur të vijë momenti më i përshtatshëm.
Për Sadikun, psikologun e kësaj qendre, është mirë kur të paktën familjarët nuk i braktisin pacientët, por mbajnë kontakt me ta. Por, ai thotë se, në këtë aspekt, mbetet shumë për të dëshiruar.
“Nuk jemi të kënaqur me interesimin e familjarëve. Duhet edhe familja ta japë kontributin e vet për të na ndihmuar neve në trajtimin e pacientëve”, thotë Sadiku, i cili ka punuar në këtë qendër që nga viti 2001, ndërsa nga viti 2009 është punësuar në pozitën e psikologut.
Sipas tij, ndër arsyet pse familjarët nuk mbajnë kontakt me pacientët e kësaj qendre është për shkak të gjendjes së rënduar të tyre.
Drejtori i kësaj qendre, Miftar Zenelaj, thotë se për t’u pranuar në këtë qendër – që funksionon në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) – pacientët duhet ta kenë diagnozë primare skizofreninë paranoide.
Gjendja e pacientëve që ndajnë këtë diagnozë nuk është e njëjtë për të gjitha. Disa prej tyre e kanë gjendjen më të rënduar dhe për këtë arsye janë vendosur në një repart të veçantë, ku mundësia për ta lënduar veten apo dikë tjetër është më e vogël.
“Këta pacientë paraprakisht janë trajtuar në institucionet tjera psikiatrike të vendit dhe kur shpenzohen të gjitha mundësitë që këta pacientë të trajtohen qoftë në familje, komunitet apo ndonjë institucion, atëherë vijnë te ne”, tregon drejtori i qendrës, Zenelaj.
Ai thotë se për ta ndihmuar gjendjen e tyre – të cilën e quan si “diagnozën më të rëndë në psikiatri” – stafi i qendrës po tenton ta shndërrojë ambientin brenda qendrës nga pamja e një spitali në një ambient shtëpiak.
“Ky institucion realisht ka statutin e një spitali, mirëpo duke u bazuar në referencat e OBSH-së [Organizatës Botërore të Shëndetësisë], ne duhet t’u përafrohemi kushteve shtëpiake. Kjo sepse roli i këtij institucioni është riintegrimi dhe risocializimi i pacientëve psikiatrik në familje dhe në komunitet”, shton Zenelaj, i cili mban pozitën e drejtorit nga viti 2015.
Bazuar në standarde të OBSH-së, Zenelaj thotë se ata nuk synojnë të rrisin kapacitetet për të pranuar më shumë pacientë – pavarësisht se aktualisht kanë maksimumin e pacientëve dhe nuk mund të pranojnë të tjerë.
Kjo pasi që, siç thotë ai, duhet “të deinstitucionalizohen këta pacientë. Realisht nuk preferohet të ndërtohen institucione të mëdha si spitale”.
Për këtë arsye, brenda QIRSKP-së, stafi po tenton të krijojë ambiente të ngjashme me ato në shtëpitë e zakonshme, me qëllim për t’u ofruar “ngrohtësinë familjare, që ta bëjmë sa më shumë ambient familjar dhe që në të ardhmen ata të mund të kthehen në komunitet dhe familje”, thotë Sadiku.
Por, përderisa stafi synon të ketë më shumë qendra të tilla me më pak pacientë secila, numri i stafit që është në shërbim të tyre, konsiderohet i vogël nga ana e Sadikut, psikologu i vetëm në QIRSKP.
“Kuptohet që nuk është e mjaftueshme se deri po i vjen radha pacientit tjetër, po shkon pak kohë… Por, këto janë kushtet që kemi dhe po mundohemi t’u përshtatemi dhe ta japim kontributin tonë”, thotë ai.
Por, në këtë qendër mund të ndodhin ndryshime të mëdha. Gjatë vitit 2022, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, kishte propozuar dislokimin e këtij institucioni në një pozitë tjetër. Këtë propozim e përkrah drejtori i kësaj qendre, por ai ka disa kushte për lokacionin e ri.
“Ne kemi pranuar që mund të dislokohet në një vend të përshtatshëm, por duhet të jetë një infrastrukturë moderne”, thotë Zenelaj.
Ai shton se qendrat e tilla preferohet të ndërtohen “në qytete ku kontakti me shoqërinë, me jetën e përditshme urbane të jetë më i madh sepse kjo ndikon në risocializim dhe riintegrim të kësaj kategorie”.
Për të arritur këtë synim kryesor të qendrës, rehabilitimin dhe integrimin e personave me sëmundje kronike psikiatrike – Zenelaj beson se është shumë e rëndësishme të mos stigmatizohet ky komunitet. Ai beson se për këtë ka pasur përmirësim të dukshëm gjatë viteve të fundit.
“Këta njerëz [duhet] të trajtohen njëjtë dhe në mënyrë të barabartë si çdo qytetar tjetër i Kosovës sepse edhe sëmundjet psikike janë të njëjta si çdo sëmundje tjetër e shëndetit tonë”, thotë ai.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika

“Isha në një moment të keq emocional…”, flet e dyshuara si rekrutuese e grave të hashashit në Shqipëri

Emrat e PS-së për qarkun e Tiranës, zyrtarizohet lista e kandidatëve për deputet

Zhgënjim me rezultatin, Haradinaj: Na kushtoi e vërteta e rëndë që e thamë për Kurtin

MKRS: Komuna s’mori leje për punimet në zonën ku ka asete kulturore

Serbia ankohet pse anëtarë të NATO-s po e armatosin Ushtrinë e Kosovës

Gjykata e kthen në punë Ridvan Berishën, e detyron RTK-në t’ia paguajë mbi 28 mijë euro

Zhgënjim me rezultatin, Haradinaj: Na kushtoi e vërteta e rëndë që e thamë për Kurtin

Ramabaja: Sami Kurteshi s’flet kot, Prokuroria duhet të hetojë deklaratën e tij

Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Rizarta akuzon produksionin në transmetim direkt se kanë publikuar bisedën e saj pa autorizim: Mendoja se po flisja me psikologen, nuk e dija që do jepej ky klip

Zëvendëspresidenti amerikan i përgjigjet kritikave të ashpra të kushëririt që luftoi në krah të ukrainasve

Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Tifozët nuk mund ta besojnë atë që ndodhi menjëherë pas super golit që shënoi Lamine Yamal për Barcelonën

Si e sheh botën zëvendëspresidenti amerikan - dhe pse kjo ka rëndësi

I dyshuari për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, në mesin e personave nga ish-njësiti famëkeq, në mbrojtje të Vuçiqit nga studentët