I emëruar në muajin mars të këtij viti në pozitën e anëtarit të Bordit të Infrakosit, Lulzim Beqiri njofton se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Beqiri me anë të një shkrimi në Facebook ka njoftuar se si rezultat, sic e ka quajtur ai, për “pastrime politike” brenda kompanisë dhe pas tri kërcënimeve për shkarkim nga sot nuk është pjesë e Infrakosit.
“Jam emëruar me 10 mars nga Qeveria Kurti 2, dhe pas 5 muajsh si rezultat i kërkesave të vazhdueshme për ‘pastrime’ politike brenda ndërmarrjes kam dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Bordit. Pas tri kërcënimeve për shkarkim më në fund vendosa të lë Infrakosin”, ka njoftuar Beqiri.
Sipas tij, ky vendim është marr si rezultat i refuzimit për ta shkelur dinjitetin e të tjerëve.
“Ky vendim i imi është ndërmarr si rezultat i refuzimit tim për ta shkelur dinjitetin e tjetrit, me asnjë kusht nuk mund të lejoj që integriteti im profesional e njerëzor të nëpërkëmbet, ky integritet garantohet edhe me profesionin që kam përveç traditës sime familjare. Kosovës i duhen njerëz që refuzojnë presionin, shantazhin e nëpërkëmbjen, që luftojnë krimin e organizuar, nepotizmin, ryshfetin, e mbi të gjitha që e duan fort Kosovën pa interesa personale e partiake”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/