LAJMI I FUNDIT:

Jashtë pragut të botës së shqiptarit

Jashtë pragut të botës së shqiptarit

Elton Ndreka

Një nga konceptet kryesore te Hannah Arendt është ndarja e sferës private nga ajo publike. Shtëpia është ajo çka e mbulon të gjallën e njeriut prej botës. Te kjo e fundit shfaqet i gjithë potenciali i njeriut si veprues në shumëfishësi apo edhe si sendërtues i një bote artefaktesh. Ndërsa


Derisa Arendt te libri “Gjendja njerëzore” i ndan qartësisht dy llojet e jetëve, ajo çka na intereson të evidentojmë është pragu i kësaj ndarjeje, që do t’i korrespondonte pragut të shtëpisë, dritareve nga ku mund të shihet bota dhe të fshihesh fizikisht prej saj, muret që qëndrojnë kufij të vërtetash të njeriut si gjallesë apo si njerëzor, arkitektura që jo pa qëllim Arendt e krahason me aktin themelor dhe ligjet e shtetit të cilat nuk bëjnë pjesë tek akti politik i njeriut. Në këtë sipërmarrje, në fakt ajo dallon tre lloj jetësh brenda asaj që e quan Vita Activa. Nëse në vija të trasha e ndamë privaten nga publikja, duke shkuar nëpër vijën e të qenit brenda mureve të shtëpisë që dallon nga të qenit jashtë mureve në agorën e qytetit (sheshi publik), ndarja e mesme është vetë muri, ndërtesa apo arkitektura që mban jetën e gjallë dhe private, por vetë si e tillë është artefakt në botë.

Kësisoj e quajtëm këtë si pragu nga ku njeriu është mes natyrës dhe botës. Duke e thënë ndryshe, bota sendore apo siç quhen në gjuhën antropologjike materialet shpirtërore, ndryshe nga gjallesa që ndodhet brenda shtëpisë dhe e fshehur nga bota, krijojnë një lloj bote sendesh. Ta zëmë, muret e kështjellës së një qyteti të lashtë në atë kohë kanë patur funksionin e mbrojtjes së jetës së qytetit, njerëzve dhe mbretërive. Për aq sa janë mure mbrojtëse, nuk janë pjesë e aktivitetit politik brenda qytetit, por e mbrojnë këtë aktivitet. Për aq sa janë mure të ndërtuara prej njeriut, përbëjnë trashëgiminë materiale të një populli apo përbëjnë botën arkitekturore të një vendi.

Le të marrim edhe një shembull tjetër, siç Arendt shprehet “zdrukthari që e shkëput drurin nga natyra, i jep një jetë artificiale dhe kësisoj e bën pjesë të botës” sepse, ta zëmë, duke e bëre drurin tryezë, vendos përreth saj njerëz dhe aty në mes është një botë këndvështrimesh mbi tryezën, ose duke qenë se nuk është më pjesë e natyrës e tejkalon jetën natyrale të njeriut duke u trashëguar kështu nga babai te biri dhe nga biri te nipi etj.

Kushdo që ka qenë në vendet e Evropës Perëndimore nuk i ka kaluar pa vënë re ruajtjen me fanatizëm të asaj që e quajtëm bota sendore e një vendi apo përshtatja e ndërtimeve të reja me të, e cila ka për detyrë të tregojë një vijimësi kulturore, qëndrueshmëri historike. Fundja, ato përbëjnë ato që quhen referencat e një populli të vendosur diku. Madje, janë pikërisht këto artefakte të cilat tërheqin kryesisht turistë, të cilët janë të interesuar për të njohur njeriun, etapat nëpër të cilën ka kaluar qyteti i njeriut. Nga ana tjetër, këtu flitet për vijimësi dhe qëndrueshmëri.

Pra, çështja e pragut të botës apo e botës sendore është se ajo stabilizon rrugën e njeriut drejt zhvillimeve arkitekturore dhe shërben si themel i një toke të sigurt. Ruajtja e një linje ndërtimi arkitekturor ndër shekuj është shenjë e një populli të vendosur apo e një populli që nuk është “zhvendosur” nga mendja apo nga shtati. Këto ndërtesa të lashta apo këto vijime nëpër arkitektura të tilla shërbejnë si horizonte referenciale që njeriut i duhet të njohë veten. Le ta themi me gjuhën Arendt apo Agamben, arkitektura e një qyteti do përbejë një ndër kushtet për të kuptuar mendësitë e qytetarit, psikikën e njeriut të vendosur në atë qytet, do ishte fiks sikur trupi i njeriut të ishte kushti fizik i mendimit dhe për pasojë ai kryqëzimi i llojit homo sapiens.

Në një shkrim para disa vitesh, profesor Artan Fuga pati shkruar për “Qytetet gjarpërore”, ku fliste për ndërtesa që ndiqnin linjën e rrugëve. Është interesante të kuptohet që te ky shkrim, profesori i referohej gjendjes tranzitore (në lëvizje sipas rrugës) të arkitekturës në Shqipëri. Si duket edhe në këtë plan kemi një përputhje të plotë mes gjendjeve tranzitore të botës sendore me atë të botës ligjore dhe psikike. Është thënë dhe rithënë se Shqipëria jeton në një tranzicion së paku 26-vjeçar. Kur ky tranzicion përfshin lëvizjet migruese apo kushtet ligjore në pamundësi të konsolidimit të institucioneve, gjendja shpresohet e ndreqshme.

Në rastin e një arkitekture në tranzicion çështja shkon në një plan tejet të paimagjinueshëm. Nuk është vetëm çështja e këtyre qyteteve që Fuga përmend, por para së gjithash problemi qëndron të mungesa e vijimësisë dhe qëndrueshmërisë. Nuk është çështja thjesht te ndërtimet pa plan urbanistik, por para së gjithash është problemi i prishjes së ndërtesave të vjetra për të ndërtuar në një stil që nuk ka aspak lidhje me vendësit. Kjo prishje e vijimësisë mes brezave krijon çarjen e fytyrës së shpirtit material të shqiptarit. Kjo prishje e çdo arkitekture të mëparshme, jo vetëm degdis shpirtin në papërmbajtësinë e një forme materiale por, gjithashtu, e shtyn psikikën nëpër forma të paqëndrueshme apo thënë shkoqur në psikopatira si ndërtimet te parku i liqeni, qiellgërvishtësit në vend të bahçeve tiranase etj.

Kalimi pellazg-ilir-arbër-shqiptarë është para së gjithash një histori artefaktesh. Thënë ndryshe, ka mundësi që sa herë që arkitektura është ndërtuar si këputje e vijimësisë, aq herë është gjetur një emër i ri për ne. Por tashmë, brenda një periudhe 100-vjeçare pragu i botës sonë ka ndryshuar, është ndërtuar dhe shkatërruar aq sa sot mund të themi se këtu ndërtimet janë në pritje të një lufte të re si e vetmja mundësi që të mund të ndërtohet një prag bote për shqiptarët e llojit homo sapiens. Artefakti arkitekturor që do ishte për ne imazhi sendor i njeriut, aty ku mund të njihnim veten përmes sendeve të ndërtuara prej nesh, nuk është as pragu prej nga ku mund ta shohim botën. Përmes arkitekturës së tanishme ne nuk jemi vendës.

Një grek apo një serb mund të thoshte lehtësisht dhe jo pa bazë se shqiptarët kanë ardhur këto 100 vitet e fundit në këto troje. Shembja e kullave malësore për të ndërtuar vila; prishja e shtëpive elbasanase për të ndërtuar qiellgërvishtëse, hijet e larta të të cilave nuk na lënë që nga dritarja të shikojmë sheshin; dalja nga hyrja e pallatit, janë hyrje për t’u fshehur nga bota. Nuk ka asgjë më të qartë se ftesa që na bëhet prej ndërtimeve në Tiranë. Jemi ndërtuar kalimthi, pa plan dhe pa asnjë lloj qëndrueshmërie; pa asnjë lloj vijimësie; jemi ndërtuar në tranzit; jemi ndërtuar për t’u shkatërruar. Ne jemi në pritje të një katastrofe, të një lufte që të shkatërrojë mungesën tonë në botë.