Jankulovska: Padi për tifozët që ofendojnë shqiptarët (Video)

“Ne morëm masa për zbardhjen e rastit. U ndaluan tifozët. Bëhet fjalë për rreth 20 persona që u përfshin në incidentin. Në bazë të shkallës së përfshirjes së tyre pasojnë paditë penale. Pjesa më e madhe e padive do të jenë për dhunë, ndërsa një pjesë për pjesëmarrje në rrahje. Ky incident është zbardhur në tërësi. Dëshiroj të përsëris se do të reagojmë në mënyrë të pa mëshirshme ndaj të gjitha incidenteve, jo vetëm atyre që ndodhin në terrenet sportive. Vlerësojmë se reagimi i ashpër ndaj këtyre personave duhet të jetë porosi e qartë - tek ata dhe të gjithë të tjerët që mendojnë të përfshihen në incidente - se sporti duhet të mbetet fushë për matjen e rezultateve sportive e jo matjen e forcës në kuptimin e dhunës”, deklaroi Jankulovska, transmeton “Alsat-M”.
Incidenti i djeshëm, siç theksoi një dëshmitar, është nxitur nga tifozët maqedonas të cilët duke u kthyer nga Autokomanda, me autobusin Numër 2, e me të mbërritur në stacionin në Bit Pazar, kanë filluar të ofendojnë dhe të shajnë qytetarët shqiptarë.
“Me e sha burrin pas 60 vjetëve është shumë e rëndë. Me ma sha kombin, fenë, flamurin... le ta harroje këtë. Ardhmëri maqedonët, e Gruevski, asnjëherë nuk do të ketë me shqiptarët. Ne ngatërrime të këtilla do të kemi gjithmonë. Ardhmëri kurrë e përjetë. Dhe, u them sot e një mijë vjet: edhe me më burgos, ky jam e tjetër nuk bëhem”, u shpreh ditë më parë një dëshmitar okular.
Por, thirrjet antishqiptare nuk kanë ndaluar këtu, ato kanë vazhduar në orët e mbrëmjes gjatë ndeshjes së basketbollit, nga tifozët e skuadrës së “MZT Skopje”.
“Maqedonia e maqedonasve, ka qenë gjithmonë dhe do të jetë”; “Atdhe yni dije, do të ruajmë”; “Të gjithë dushmanët do t’i shkelim”, ishin disa nga parullat e tyre.
Me këto brohoritje ata iu përgjigjën thirrjes së tifozëve të skuadrës së “Vardarit”, të njohur si “Komitët”, të cilët bënë thirrje publike për bashkimin e të gjitha grupeve të tifozëve në një, “që të jenë më të fortë kundër shqiptarëve”. /Telegrafi/


















































