LAJMI I FUNDIT:

Jahjaga vizitoi Policinë e Kosovës

Jahjaga vizitoi Policinë e Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni me stafin e lartë të Policisë së Kosovës (PK), ka pritur në një takim Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Sipas njoftimit të lëshuar nga PK, Maxhuni e njoftoi presidenten për zhvillimet, aktivitetet dhe realizimin e objektivave strategjike të Policisë së Kosovës, për ngritjen e vazhdueshme të performancës dhe profesionalizmit të PK-se.

Maxhuni i shprehu mirënjohje presidentes Jahjaga për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që Presidentja ka bërë ndaj Policisë së Kosovës duke e paraqitur PK-në si institucion kredibil, si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.


Ndërsa, presidentja Jahjaga theksoi se Policia e Kosovës gëzon një reputacion të lartë, si një ndër institucionet më të besuara në vend dhe kjo është arritur falë punës dhe angazhimit të pakursyer të të gjithë punonjësve të PK-se.

“Ju, stafi policor, duhet të ndjeheni krenar që shërbeni në një institucion kredibil me besueshmërinë kaq të lartë dhe që jeni në shërbim të popullit, sepse duke u kujdesur për sigurinë e vendit, sigurinë ndaj qytetarëve, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, parandalimin e krimit dhe luftën ndaj terrorizmit, do të arrini ta mbani Kosovën si vend të qetë e të sigurt”, tha Jahjaga. /Telegrafi/