LAJMI I FUNDIT:

BE-ja distribuon rreth 10 milionë euro në buxhetin e Kosovës

BE-ja distribuon rreth 10 milionë euro në buxhetin e Kosovës

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se rreth 10 milionë euro janë distribuuar në Thesarin e Kosovës.

Kjo ka ardhur si ndihmë nga Komisioni Evropian të cilat kanë të bëjnë me standardet e pajtuara, lidhur me reformat në administratën publike dhe në menaxhimin e financave publike.

“Mbështetja e BE-së për Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhimin e Financave Publike shpërblen progresin që e bën qeveria në zbatimin e strategjive të saj dhe në arritjen e synimeve të pajtuara ndërmjet BE dhe qeverisë së Kosovës. BE është duke punuar me qeverinë e Kosovës në këto reforma që nga dhjetori i vitit 2017. Për ta çuar këtë përpara, qeveria tani duhet të përshpejtojë dinamikën e reformave. Në veçanti, Komisioni pret që qeveria të mbetet e përkushtuar për zbatimin e paketës legjislative të Reformës së Administratës Publike dhe për hapat e nevojshëm për përmirësimin e llogaridhënies së agjencive të pavarura, të vazhdojë me politikat makroekonomike të orientuara drejt stabilitetit dhe të rris transparencën, veçanërisht sa i përket shfrytëzimit të fondeve buxhetore dhe proceseve të prokurimit publik”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.


Po ashtu, BE njofton se kjo shumë financiare do të ndihmojë Kosovën në luftimin e pandemisë COVID-19.

“Kjo mbështetje e BE-së po ashtu do të ndihmojë Kosovën edhe në luftimin e pandemisë COVID-19 dhe ndikimit të saj në ekonomi dhe financa publike”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/