“Iu mohua shkollimi në Graçanicë pasi familjes iu ndërtua shtëpia nga Qeveria e Kosovës”, KOMF: Nëse kjo vërtetohet është shkelje e rëndë e të drejtave të fëmijës

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me siç thotë raportimet në media se një fëmije të ciklit fillor në Komunën e Graçanicës po i mohohet e drejta për të vijuar arsimin, nga menaxhmenti i shkollës.
KOMF thekson se sipas deklaratës së nënës, fëmijës po i mohohet e drejta për të ndjekur shkollimin, për shkak se familjes i është ndërtuar një shtëpi e re nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Nëse kjo vërtetohet, një situatë e tillë përbën shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijës, e cila bie ndesh me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Arsimin Parauniversitar, Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës dhe Ligjin kundër Diskriminimit, të cilat garantojnë të drejtën e çdo fëmije për arsim pa diskriminim”, thuhet në reagimin e KOMF-it.
KOMF kërkon ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve komunale për të garantuar vijimin e fëmijës në shkollë, angazhim të mekanizmave të mbrojtjes së fëmijës, veçanërisht të Qendrës për Punë Sociale, për ofrimin e shërbimeve të nevojshme për fëmijën dhe familjen, hetim nga institucionet e drejtësisë dhe, në rast të evidentimit të shkeljeve ligjore, mbajtjen përgjegjëse të çdo autoriteti apo personi që ka shkelur të drejtën e fëmijës për arsim.
“KOMF potencon që fëmijët nuk mund të mbahen peng të konflikteve dhe nuk mund të përdoren si mjet presioni. Organizatat anëtare të KOMF, ofruese të shërbimeve sociale dhe familjare, shprehin gatishmërinë për të ofruar mbështetjen e nevojshme për fëmijën dhe familjen, ndërsa KOMF do të vazhdojë të monitorojë nga afër ecurinë e rastit dhe veprimet institucionale, deri në realizimin e plotë të së drejtës së fëmijës për arsim”, thuhet tutje. /Telegrafi/


















































