Përurohet salla e tretë operative në Kirurgjinë Vaskulare

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, sot ka përuruar sallën e tretë operative në Kirurgjinë Vaskulare.Ismaili tha se është shumë i lumtur me investimet që janë bërë në këtë klinikë.Ministri Ismaili shtoi se hapja e kësaj salle do të ndihmoëj që të hiqet lista e pritjes për qytetarët.“Jam jashtëzakonisht i lumtur me investimet që po shoh se janë realizuar këtu. Kjo ka qenë një kërkesë e kamotshme e Kirurgjisë Vaskulare, që të ketë edhe një sallë tjetër. Një sallë që është moderne që i plotëson kushtet që t’u shërbejë pacientëve me kualitet sa më të lartë”, ka thënë Ismaili.

Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, ka thënë se qëllimi i këtyre investimeve është që pacientëve t’u bëhet më i lehtë mjekimi dhe shërimi.“Gradualisht po ngrisim shërbimet profesionale në QKUK që qytetarëve tanë t’u ofrojmë më shumë mundësi për t’i trajtuar problemet e tyre shëndetësore”, ka thënë Sejdiu.
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari, ka thënë se me sallën e tretë operative pacientët do të kenë kushte më të mira dhe mundësi më të mëdha trajtimi.
Për sallën e re operative në Kirurgjinë Vaskulare janë shpenzuar mbi 100 mijë euro, ndërsa 100 mijë euro të tjera janë shpenzuar për modernizmin me pajisje të sallave ekzistuese. /Telegrafi/









































