ISIS kërcënon Obaman: Do ta presim kokën në Shtëpinë e Bardhë (Video)

“Ta dish Obama, se ne do të vijmë deri në Amerikë”, thotë në arabisht njëri nga luftëtarët e veshur me të zeza e me fytyrë të mbuluar.
“Ta dish se do të ta presim kokën në Shtëpinë e Bardhë e Amerikën do ta kthejmë në provincë myslimane”.
Paralajmërimet e ekstremistëve nuk kursejnë as vendet e Evropës.
“Ky është mesazhi im për Francën dhe motrën e saj, Belgjikën. Ne ju themi se do të vijmë te ju me autobomba dhe eksplozivë e do presim edhe kokat tuaja”.
Pamjet shuhen në një ekran të zi, kur thika shkon në fytin e një ushtari të paidentifikuar kurd. Videoja u publikua dy ditë pasi forcat kurde zmbrapsën xhihadistët e ISIS-it nga Kobane, qyteti strategjik sirian në kufi me Turqinë, për kontrollin e të cilit është luftuar prej muajsh.
Në një tjetër mesazh online, Shteti Islamik paralajmëroi se pengut japonez dhe pilotit nga Jordania u mbeten vetëm 24 orë jetë. Në këmbim të faljes së tyre kërkohet lirimi i Sajida al-Rishawi, një motër e kalifatit, siç e quan ISIS-i.
Al-Rishawi ka 9 vjet e burgosur në Jordani për rolin e saj në sulmet vdekjeprurëse mbi hotelet e Amanit, që vranë 57 vetë. Në 2006-n, gruaja u dënua me vdekje, por shpëtoi nga ekzekutimi për shkak se po atë vit Jordania vendosi një moratorium mbi dënimin kapital. /Top Channel/


















































