ISIS-i dhe pafuqia e komunitetit ndërkombëtar

Edhe pse është krijuar një koalicion ndërkombëtar, me rreth 40 shtete, dhe ka filluar bombardimi i pozicioneve e mjeteve të ISIS-it, forcat ushtarake të këtij të fundit vazhdojnë të përfitojnë terren dhe të marrin në kontroll zona të tëra në Irak dhe në Siri.
Tani luftojnë dhe pothuajse kanë marrë në kontroll qytetin Kobane, në kufirin siriano-turk, i banuar kryesisht nga popullsi kurde. Nga një grup xhihadistësh, tani ISIS-i është bërë një faktor që vendos kushte dhe që kërcënon të gjithë botën, madje edhe shtetet më të fuqishme politike e ushtarake.
Para veprimit këmbëngulës, kryesisht të suksesshëm të forcave të ISIS-it, koalicioni ndërkombëtar me në krye SHBA-të, gati është paralizuar. Po kryhen veprime vetëm nga ajri me avionë dhe me raketa kundër pozicioneve, mjeteve dhe venddislokimeve të forcave të ISIS-it, por vetëm kaq. Teoria dhe përvoja ushtarake vërteton se asnjë fitore nuk është e sigurt vetëm me veprime teknike, pa e marrë nën kontroll terrenin e një vendi. Këtë pasiguri ka kohë që e pranojnë edhe politikanë dhe strategë ushtarakë të lartë në SHBA, Evropë dhe në vende të tjera.
Para disa ditësh, ish-kryeministri anglez, Toni Bler e theksoi një pasiguri të tillë. Ndërkohë që forcat e ISIS-it po vënë nën kontroll zona të reja të shteteve në Lindjen e Mesme, ato po bëjnë terror dhe mizori kundër qytetarëve të këtyre vendeve. Ndërsa liderët e koalicionit kundër ISIS-it po bëjnë vetëm thirrje. Kështu po vepron Obama, Presidenti i SHBA-ve, së bashku me sekretarin amerikan të shtetit, Xhon Kerrin.
Thirrje për rritjen e kontributit të shteteve anëtare të NATO-s po bën edhe sekretari i ri i aleancës. Dje, një përfaqësues i OSBE-së në Siri tha se, nëse nuk ndërhyhet për të ndaluar përparimin e ISIS-it në drejtim të qytetit Kobane dhe të qyteteve të tjera, çështja do të komplikohet shumë dhe mund të sjellë një krizë të madhe politike dhe ushtarake në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.
Turqia, kryesisht e ndikuar nga politikat e Erdoganit, po mban një qëndrim dyshues. Edhe përkundër kërkesave të opinionit publik, edhe përkundër rolit që kanë kurdët në luftën kundër ISIS-it, ajo nuk mendon të ndërhyjë ushtarakisht edhe pse një situatë e tillë e rrezikon edhe vetë atë.
Problemi i Turqisë janë kurdët, që me luftën kundër ISIS-it, në rast fitoreje, mund të kërkojnë më shumë nha shteti turk, madje autonomi ose pavarësi. Këtë nuk mund ta lejojë Erdogani. Edhe nëse cenohet integriteti i Turqisë prej ISIS-it, Erdogani do të kërkojë të mbrohet brenda kuadrit të NATO-s. Ai do të kërkojë ndihmë nga NATO, edhe pse ka një nga ushtritë më të mëdha dhe më të mirëpajisura në rajon.
Ndërsa Asadi dhe qeveria e tij, ende nuk e kanë të qartë pozicionin e tyre. Siria, edhe është edhe nuk është pjesë e koalicionit kundër ISIS-it, pasi në të janë thirrur edhe rebelët sirianë që luftojnë kundër tij. Nga çfarë shohim të ndodhë çdo ditë, del se komuniteti ndërkombëtar është më i pafuqishëm se kurrë më parë. Në shekullin XX gjen përvoja sesi ky komunitet ka vepruar me vendosmëri dhe me sukses.
Në Luftën e Parë Botërore shtetet e Antantës (Franca, Britania dhe Rusia) u organizuan e vepruan me vendosmëri dhe me sukses kundër Bllokut Qendror, Prusisë dhe Perandorisë Austrohungareze. Po kështu, në Luftën e Dytë Botërore koalicioni antifashist BS-SHBA-Britani me shtetet tjera aleate, u organizuan dhe vepruan me shumë vendosmëri dhe efektivitet kundër bllokut fashist, Gjermanisë, Japonisë dhe Italisë.
Ne vitin 1999, komuniteti ndërkombëtar, me ane të NATO-s, ndërhyri dhe e detyroi Serbinë, një nga shtetet më të fuqishme ushtarakisht në Ballkan, të dorëzohej politikisht dhe ushtarakisht, duke hequr dorë nga gjenocidi dhe shpërngulja e shqiptarëve të Kosovës. Merita për këtë veprim u shkon kryesisht Presidentit amerikan, Klinton, kryeministrit anglez, Bler dhe sekretarit te NATO-s, Solana.
Sot, ndërkohë që ka më shumë kapacitete teknike, mjete financiare dhe më shumë mundësi politike e ushtarake për të vënë nën kontroll një të ashtuquajtur shtet islamik, që nuk është as shtet, nuk ka territor dhe as kufij, ndodh e kundërta. Ka paaftësi dhe pavendosmëri për të ndërmarrë aksione të vendosura ushtarake për të zgjidhur situata që rrezikojnë stabilitetin dhe rendin global.
Arsyeja: them se sot mungon lidershipi politik dhe ai ushtarak. Mungojnë personalitetet largpamëse dhe të vendosur ushtarake dhe politike. Nëse do të kishim një lidership të tillë (nuk po përmend emra, sepse dihen) do të tejkaloheshin edhe interesat dhe aferat politike, ekonomike,financiare që mund të pengojnë aksionin ushtarak të koalicionit kundër ISIS-it.
(Marrë nga: Shekulli)




















































