Site icon Telegrafi

Ish-zyrtari ushtarak i Serbisë, Boshkoviq: Dikur ishin Millosheviq, Sheshel dhe Arkan, sot Vuçiq, Daçiq dhe Veselinoviq

Analisti ushtarak serb, Petar Boshkoviq ka komentuar zhvillimet e fundit në Serbi si dhe praninë e grupit famëkeq rus, Wagner në Beograd.

Ish-shef i administratës në Ministrinë e Mbrojtjes ka pohuar se Wagner nuk është organizatë e sigurisë, por një formacion paraushtarak që kryen krime.

“Historia e vullnetarëve serbë në grupin Wagner më duket se është një tjetër nga spinet ruse. Mjafton që Serbia të përmendet në Evropë si një vend që i mirëpret Wagnerat në një mënyrë apo tjetër. Gabojmë hap pas hapi, atë që bëjmë ne, nuk e bën askush në Evropë. Por nëse keni në mendje vetëm opinionin publik, pra makinën e votimit, atëherë po pajtoheni me Moskën, e cila gjë nuk duhet të jetë kështu në këtë situatë. Pretendimeve të Moskës se ka serbë në Wagner, presidenti vetëm tha – nuk është e drejtë. Ne që kemi kaluar nëpër Tigrat, Shqiponjat e Bardha dhe kaq shumë formacione paraushtarake, të mos themi se bëhet fjalë për një organizatë të sigurisë”, thotë Boshkoviq.

Lexo po ashtu Mercenarët nga Serbia fillojnë stërvitjet ushtarake përkrah rusëve në Ukrainë

Analisti tha se Serbia po bën të njëjtin gabim të madh duke u rreshtuar me Rusinë në vend se me Perëndimin dhe këtë dikur e bënin “Sllobodan Milosheviq, Vojisllav Sheshel dhe Arkani ndërsa sot Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq dhe Zvonko Veselinoviq”.

Ai kujton se themeluesi dhe drejtuesi i asaj kompanie ushtarake, Yevgeny Prigozhin, i cili thuhet se është kuzhinieri i Putinit sepse ka një restorant në Rusi, ishte përgjegjës për logjistikën e plotë të ushqimit për ushtrinë ruse.

“Ai bën gjithçka që ushtria e rregullt nuk i lejohet të bëjë sipas rregullave ndërkombëtare. Nuk duhet të harrojmë se këta janë njerëz që dolën nga burgu, grupi u rrit nga 5000 në 50 mijë luftëtarë. Ata dërgohen në front dhe bëjnë gjithçka që një ushtar i rregullt nuk i lejohet të bëjë sipas ligjit ndërkombëtar të luftës. Kishim formacione paraushtarake që na kushtuan shumë, prandaj jetojmë kështu tani, nuk duhet ta lejojmë më”, paralajmëron analisti ushtarak.

Ndryshe, mediat serbe dhe ruse gjatë ditës së djeshme kanë raportuar se mercenarët e parë serbë tashmë kanë filluar stërvitjet në kuadër të Wagnerit dhe se janë vendosur në rajonin e Zaporizhzhias. /Telegrafi/

Exit mobile version