LAJMI I FUNDIT:

Ish-prokurorja Vahide Badivuku dënohet me 3 vjet burgim

Ish-prokurorja Vahide Badivuku dënohet me 3 vjet burgim

Ish-prokurorja, Vahide Badivuku, është dënuar me 3 vjet burgim.

Badivuku, e cila të enjten qau teksa po e jepte fjalën përfundimtare në Gjykatën Themelore të Prishtinës, është dënuar për veprën penale për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Veç dënimit me 3 vjet burgim, ajo është dënuar edhe me 5.000 euro gjobë, raporton “Koha Ditore”.


Badivukut i është ndaluar edhe ushtrimi i detyrës zyrtare për 3 vjet.

Isak Smakolli është dënuar me 3.000 euro gjobë. Ndërkaq, i akuzuari tjetër në rastin e njëjtë, Idriz Kelmendi, është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim.

Kujtojmë se Vahide Badivuku, prokurorja e krimeve të rënda, është arrestuar më 23 gusht të vitit të kaluar.

Badivuku është arrestuar nga prokuroria speciale e Kosovës me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe krim të organizuar, raporton koha.net.

Ajo ishte prokurore e rastit Gani Geci, të dyshimtë për një vrasje. Badivuku është zënë në flagrancë duke marrë mito.

Shyqyri Syla, kryeprokuror ne Prokurorinë Publike të Qarkut në Mitrovicë, e ka konfirmuar këtë.

Prokuroria pati deklaruar asokohe se e pandehura V.B., është arrestuar nën dyshimin se ka marrë ryshfet për t’i liruar disa vetura të sekuestruara, në një lëndë penale, të cilën ajo e ka pasur në hetime. V.B. ka kërkuar ryshfet në shumën prej 22.000 euro (njëzetedymijë euro) përmes ndërmjetësuesve dhe pas dorëzimit të shumës në fjalë, si prokurore e rastit ka përpiluar kërkesën për lirim të automjeteve.

“Mbrëmë gjatë kontrollit në pikë kalimin kufitar në Merdare, është kontrolluar e pandehura V.B. dhe në çantën e saj janë gjetur shuma prej 5.000 euro, të cilat janë pjesë e 22.000 eurove të pranuara ryshfet”, pati thënë Prokuroria në njoftimin për arrestimin e saj.