Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka komentuar Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke thënë se ai vazhdon të shkelë Kushtetutën, pasi ndryshimet e bëra adresojnë vetëm katër nene, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese kishte shpallur të pavlefshëm të gjithë ligjin.

Gjithashtu, sipas tij, ka shkelje procedurale edhe në mënyrën se si janë miratuar ligjet nga mazhoranca më 5 dhjetor, përveç se në përmbajtjen e tyre – sikurse Ligji për Byronë.

“Në fillim shkeljet janë procedurale, në mënyrën se si janë miratuar ligjet. E dyta është secili ligj duhet të vlerësohet për nga përmbajtja. E tha ministrja kur u miratua ligji për Byronë ajo tha që ne kemi ndryshuar katër nene. Gjykata Kushtetuese kur e ka kthyer ligjin si antikushtetues, krejt ligji është kthyer si kundër kushtetuese dhe jo katër nene. Prandaj unë mendoj që edhe këtu është shkelja e parë, pasi është dashtë të nxirret një ligj i ri, jo vetëm të ndërrohen katër nene, të cilat ata mendojnë që janë kundër kushtetuese”, ka thënë Shala në RTV Dukagjini.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë më 3 shtator, kishte njoftuar për katër nenet e rishikuara, të cilat sipas saj, adresojnë gjetjet kryesore të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo kishte përmendur si ndryshime kryesore eliminimin e retroaktivitetit të ligjit, përcaktimin e periudhës kohore për verifikimin e pasurisë, si dhe ristrukturimin e përbërjes së Komisionit mbikëqyrës për ndarjen e pushteteve.