Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch pret që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët po akuzohen për krime të pretenduara të luftës nga Dhomat e Specializuara, të shpallen të pafajshëm.
Diplomati holandez mendon se edhe veprimi i Shqipërisë për të pasur një rezolutë tjetër për të mbivendosur atë të senatorit Dick Marty në Këshillin e Evropës, që shërbeu si bazë për themelimin e Dhomave të Specializuara është i duhuri.
Në një intervistë për KosovaPress, Bosch ngre pikëpyetje nëse do të duhej të ekzistonte Specialja pasi u konfirmua se nuk qëndrojnë akuzat për trafikim organesh mbi të cilat ishte ngritur kjo gjykatë.
“Unë pres që të gjithë të lirohen, natyrisht. Por dua të them pak më shumë se kaq, sepse mendoj se i gjithë gjykimi, e dini, u habita që një prokuror tha se nuk është një gjyq kundër UÇK-së por është kundër individëve. Deri më tani ata kishin thënë gjatë gjithë kohës se UÇK-ja ishte organizatë kriminale. Se kinse ata janë drejtuesit e kësaj organizate kriminale, ata janë përgjegjës për gjithçka që kanë bërë.
Tani, prokurori tha pak më ndryshe, tani tha se nuk është kundër UÇK-së, por është kundër individëve. Gjithsesi, problemi me gjithë këtë gjë është se ajo ishte e bazuar në raportin e Martyt, të Këshillit të Evropës, e raporti i Martyt i Këshillit të Evropës bëri akuza të tmerrshme, veçanërisht ndaj Thaçit, dhe veçanërisht në kuadër të trafikimit të organeve. Pas krijimit të gjykatës në vitin 2015, zoti Williamson hetoi pretendimet dhe rezultoi se trafiku i organeve nuk ishte i vërtetë, nuk kishte ndodhur, pra ishte gjë e rreme. Në atë moment, mendoj se ata duhet të kishin thënë, në rregull, tani ka mbaruar, sepse kjo është arsyeja pse ne e bëmë këtë gjykatë në radhë të parë, bazuar në këto akuza të tmerrshme, kur akuzat e tmerrshme nuk janë më aty, përse të vazhdojmë të kemi një gjykatë ndërkombëtare”, thotë Bosch.
Bosch mendon se edhe veprimet e shtetit të Kosovës duhej të ishin ndryshe pas publikimit të raportit të senatorit Marty.
Sipas tij, Dhomat e Specializuara të Kosovës duhet të hetojnë të gjitha rastet, përfshirë edhe ato vrasje, masakra, përdhunime, rastet e personave të pagjetur e dëmtime pronash nga ana e serbëve.
“Unë, po të isha në vendin tuaj, do të thosha, pse vetëm 100 raste, nëse doni të jeni gjykatë serioze, ta bëni më të madhe, shikoni edhe rastet e tjera, secilin rast të serbëve. Dhe pse vetëm këto raste, sepse gabimi që ka bërë Qeveria e Kosovës ka qenë se nuk kanë krijuar grupin e tyre hetues, nuk e kanë bërë pas raportit të Marty. Ata është dashur të thonë, kjo është marrëzi, por ne do të krijojmë një grup hetimi, ata nuk e bënë këtë. Serbët e kanë (gjykatën) e tyre, ata ndjekin krimet e tyre të luftës që pretendojnë se janë bërë.
Pra, ata kanë bërë diçka edhe pse shumica e njerëzve janë liruar, por të paktën kanë bërë diçka. Problemi ishte se ju nuk e bëtë këtë, ky është problemi, dhe tani është shumë vonë. Mund të kishit thënë, ‘po e hetojmë’. Edhe pse në anën tjetër edhe UNMIK-u kishte hetuar, edhe EULEX-i, dhe të dy kanë thënë se është folur për trafikimin e organeve dhe nuk ka pasur asgjë, këtë e kanë thënë që të dy”, thotë ish-diplomati holandez.
Bosch ngre pyetjen pse duhet të ekzistojë një gjykatë për të hetuar vetëm disa raste dhe të injorohen mbi 13 mijë civilë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Dhe çfarë thotë prokurori, tani flet për 100 raste, sepse sigurisht 100 raste janë shumë, mirëpo nëse kemi midis 16 dhe 12 mijë njerëz të vrarë, pse të kemi një gjykatë të tërë për 100 raste? Çfarë është kaq e rëndësishme për këto 100? Pra, 15 mijë minus 100 raste, a nuk ia vlen të hetohen, është pak e çuditshme… Për 100 raste, një gjykatë kaq e shtrenjtë për taksapaguesit evropianë. Dhe kështu mendoj se është shumë keq. Dhe siç thashë, është bazuar në këtë raport, siç e dini, kryeministri Rama ka sjellë tani në Këshillin e Evropës edhe një rezolutë të re për të korrigjuar atë raport, sepse ai raport, përderisa nuk korrigjohet, është ende aty, por në fakt ishte një raport i gabuar. Domethënë e gjithë gjykata bazohet në këtë, kështu që është një nismë shumë e mirë e Ramës për të bërë diçka, për ta hequr qafe atë. Nuk e di nëse mund ta heqësh qafe gjykatën, sepse, le të themi, ka shumë interesa fikse tani, por e gjithë baza e gjykatës është e gabuar”, thotë ish-ambasadori holandez.
Bosch thotë se puna me këtë gjykatë nuk do të duhej të vazhdonte pasi prokurori amerikan Clint Williamson kishte nxjerrë raportin në të cilin vërtetoi se nuk ka dëshmi për trafikim të organeve.
“Është një gabim, ata duhet ta kishin ndaluar pasi zoti Williamson kishte parë që nuk kishte trafikim organesh, sepse kjo ishte arsyeja pse u formua në radhë të parë, sepse nëse do të kishte trafikim organesh, do të kishte qenë një gjë e tmerrshme, dhe kjo është arsyeja pse të gjithë ishin shumë të mërzitur dhe ata e besuan raportin e Marty sepse Marty kishte një pozitë shumë të lartë në Këshillin e Evropës, por nuk ishte e vërtetë. Por për mua kjo është arsyeja pse njerëzit e besojnë vërtetë këtë, dhe kjo është arsyeja pse mendova se nëse vërtet do të kishim trafikim organesh, kjo do të kishte qenë e tmerrshme, dhe kjo është arsyeja pse do të ekzistonte gjykata. Mirëpo, tani kjo nuk është më e vërtetë, pse ende ekziston gjykata. Ata duhet të ishin ndalur atëherë pas atij raporti të zotit Williamson, por nuk e bënë, dhe tani ju keni ngecur me të”, thotë ai.
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë flet edhe për situatën aktuale në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas tij kjo e fundit një ditë do të duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
Ai thotë se në Serbi nuk ka liri të shtypit, rrjedhimisht propaganda është shumë e zhvilluar dhe njerëzve u transmetohet sikur serbët në Kosovë nuk trajtohen mirë.
“Çështja është se ju e dini se në Serbi nuk ka liri të shtypit, pothuajse nuk ka fare liri të shtypit, dhe ata janë të bombarduar me historitë e tyre, dhe natyrisht, njerëzit i besojnë ato. Kështu ishte edhe kur filloi lufta në Bosnje, kishin zëra se ishin lajme të rreme, se në atë kohë, akoma i quanin myslimanë dhe jo boshnjakë, thoshin myslimanët po vrasin serbë, gjë që nuk ishte e vërtetë, mirëpo sigurisht që serbët e besuan këtë, kështu që u ndjenë të kërcënuar, sepse besuan gënjeshtrat e tyre, dhe sigurisht, kështu mund të fillohen luftërat. Domethënë kjo është e tëra dhe kjo është ende e njëjta gjë. E gjithë propaganda nga Serbia është se serbët po trajtohen shumë keq në Kosovë, nuk është aspak e vërtetë, unë kam jetuar atje për pesë vjet, dhe ata nuk trajtohen aspak keq. Përkundrazi, ata trajtohen shumë më mirë se vetë kosovarët”, ka thënë ai.
Në Gjykatën Speciale në Hagë të martën fillon paraqitja e provave në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Gjykimi i madh pritet të marrë disa vjet meqë prokuroria ka paralajmëruar qindra dëshmitarë që do të flasin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika

Presidentja Siljanovska i priti në takim ekipet fituese të “NASA Space Apps Challenge 2024”

MPB: Gjatë 24 orëve 814 kundërvajtje, 171 për mosrespektimin e shpejtësisë së lëvizjes

KFOR-i reagon pas raportimit për largimin e forcave amerikane nga Kosova

Eksperti i sigurisë: Largimi eventual i ushtarëve amerikanë nga Kosova do të ishte shqetësues, problemi real janë raportet politike

Kush u bë e kush u zhgënjye, përmbledhje e kandidatëve për deputetë

Trump kritikon ndarjen e fondeve të USAID-it, përmend Kosovën dhe Serbinë

“Trupat amerikane mund të largohen nga Kosova”, shkruan Bild – mediumi gjerman sjell edhe skenarët e mundshëm për vendet e tjera evropiane

Gashi: Prokuroria s’pati nevojë ta detyrojë Kurtin përmes Gjykatës, çështja u politizua

Janë verifikuar mbi 38 mijë pako të votave të ardhura përmes postës

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Më të votuarit e LDK-së nga 60 për qind të votave të numëruara

Prokuroria Speciale kërkesë gjykatës për të urdhëruar Kurtin të paraqitet për të dëshmuar në prokurori

Trump pretendon se Ukraina e filloi luftën me Rusinë

"Kush është ky", momenti kur Gjesti ngatërron Jezusin me figurën e Çerçiz Topullit në spektaklin e BBVA

Kjo është lista e përditësuar me votat e kandidatëve për deputetë të PDK-së

Kryeziu: Konsullata e Kosovës në Shtutgart bëri skandal pasi organizoi përvjetorin e pavarësisë në qendrën islame