Interi fitoi ndaj Beneventos me rezultat 2-0 në Serie A.
Vendasit ishin favorit, por nuk arritën të tregojnë ndonjë lojë të bukur ndaj skuadrës së fundit në tabelë.
Pjesa e parë ishte pa gola, ndërsa Benevento kishte rastet. Vlen të theksohet se në 45 minutat e parë zikaltrit nuk kishin asnjë gjuajte në portë, kjo nuk i kishe ndodhur nga shtatori i vitit 2016 në takimin ndaj Juventusit.
Në pjesën e dytë djelmoshat e Luciano Spallettit u treguan më të vëmendshëm dhe ishin mbrojtësit që morën lojën e në duar.
Së pari shënoi Milan Skrinar në minutën e 66-të, ndërsa pas tre minutash shënoi edhe Andrea Ranocchia.
Pas kësaj fitore Interi ngjitet në vendin e tretë me 51 pikë, por me një ndeshje më shumë se Roma (50 pikë) dhe Lazio (49 pikë). Kurse Benevento vazhdon e fundit me 10 pikë.
Xhiro e 27-të në Serie A do të na servojë derbin më të madh lokal në botë, atë mes Interit dhe Milanit.
Ndërsa skuadra e Berat Gjimshitit, që luajti për 90 minuta ndaj Interit në javën e ardhshme do të presë Hellas Veronën. /Telegrafi/