Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Fuqia pa përgjegjësi është “privilegji i lavires”, ka thënë Rudyard Kipling, një thënie të cilën kushëriri i tij, Stanley Baldwin, do ta përdorte më vonë për të përshkruar baronët e shtypit. Sot ajo përmbledh në mënyrë të përsosur sjelljen e gjigantëve amerikanë të teknologjisë, të cilët ushtrojnë pushtet global, por e shohin llogaridhënien si telash.


Kjo duket qartë në tragjedinë e Adam Raineit, një djalë 16-vjeçar nga Kalifornia, i cili vdiq nga vetëvrasja pas përdorimit të tepruar të ChatGPT-së - çetbotit të njohur të inteligjencës artificiale [IA] nga OpenAI.

Jay Edelson, avokati i familjes së Adamit, i tha ditores The Guardian: “Pjesa më tronditëse e çështjes ishte kur Adami tha: ‘Dua të lë një litar të varur që dikush ta gjejë dhe të më ndalojë’, dhe ChatGPT i tha: ‘Mos e bëj këtë, thjesht fol me mua’. Kjo është ajo që do t’i tregojmë jurisë”.

Është një histori tronditëse.

Siç shpjegon padia e paraqitur nga familja, ChatGPT “po funksiononte saktësisht ashtu siç ishte projektuar: të inkurajonte dhe të vlerësonte vazhdimisht gjithçka që shprehte Adami, përfshirë edhe mendimet e tij më të dëmshme dhe vetëshkatërruese, në një mënyrë që ndihej thellësisht personale”.

Të zbutësh një çetbot nuk është e lehtë, por është plotësisht e mundur të parandalosh atë që të bëjë gjëra të caktuara.

“Ata [OpenAI] e dinë si t’i ndalojnë gjërat”, thotë Edelson. “Nëse kërkon materiale me të drejta autori, ata thonë jo. Nëse kërkon gjëra që janë politikisht të papranueshme, ata thonë jo edhe për ato. Nuk mund të diskutosh dhe nuk mund ta anashkalosh, dhe kjo është në rregull. Ideja që ata e bëjnë këtë për politikë, por jo kur është fjala për vetëdëmtim, kjo thjesht është çmenduri”.

Familja pretendon se OpenAI qëllimisht ka hequr “pararojat” që parandalonin diskutimin mbi vetëvrasjen dhe vetëdëmtimin. Kjo thuhet se është bërë për të rritur ndërveprimin e përdoruesve me çetbotin.

Kur OpenAI i zbuti veçoritë e sigurisë, duke lejuar diskutimin mbi vetëdëmtimin, volumi dhe intensiteti i bisedave midis ChatGPT-së dhe Adam Raineit u rritën ndjeshëm, argumentojnë avokatët e familjes.

OpenAI është shndërruar nga një laborator kërkimor jofitimprurës në një kompani private dhe tani është startapi më i vlefshëm në botë, me vlerë prej rreth 500 miliardë dollarë - edhe pse nuk është i listuar publikisht. Tani OpenAI konsiderohet “shumë i madh për të dështuar”. Pjesa më e madhe e rritjes së fundit në tregjet e aksioneve i atribuohet zhurmës rreth IA-së.

Duhet shtruar pyetja se kush është përgjegjës? Teksa kritikët e Aktit për Sigurinë në Internet argumentojnë se përbën kërcënim për lirinë e fjalës, ai gjithsesi përfaqëson një mjet të fuqishëm për të mbajtur në përgjegjësi kompanitë amerikane të teknologjisë. Baronët e IA-së dhe aleatët e tyre politikë - përfshirë Donald Trumpin - duan ta heqin plotësisht, por duhet të mendojmë dy herë përpara se të heqim dorë nga një mjet kaq i vlefshëm.

Kjo është hera e tretë që njerëzimi nxiton të krijojë inteligjencë artificiale. Këtë herë, nxitimi po lë pas viktima reale. Ne në Britani nuk duhet të lejojmë që teknologjia e tillë të veprojë pa mbikëqyrje qeveritare dhe duhet të kërkojmë që ata që janë në krye të saj të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. /Telegrafi/