LAJMI I FUNDIT:

Insuficienca e skrupullave për çështje madhore, por jo edhe orekseve egoiste dhe egocentrike

Këto ditë po vijon procesi i numërimit të votave edhe për kryebashkiakun e Tiranës. Gjatë rrjedhës së deritashme të prezantimit të rezultateve zgjedhore për kryebashkiakun e Tiranës, kryesisht ishin dhe mbetën kunderkandidatë më me gjasa reale zotëri Lulëzim Basha dhe zotëri Edvin Rama, ndërsa zotëri Hysni Milloshi ishte dhe ngeli dukshëm më pas me numër të votave të mbledhura. Nga të dhënat periodike të publikuara gjatë votimit për kryebashkiakun e Tiranës, me diferencë të vogël, por megjithatë, kryesisht pat udhëhequr zotëri Lulëzim Basha, pos në një nga etapat e fundit në të cilën zotëri Edvin Rama e mori parësinë për dhjetë vota.

Në etapat raportuese kur zotëri Lulëzim Basha printe me numër të votave, as ai as përfaqësues kompetentë të Partisë Demokratike të Shqipërisë ( PDSH) nuk “festonin” fitore të korrura, pos disa komentimeve të tyre në trajta korrekte, nga se edhe ashtu e kërkon kultura politike e mirë, rendi dhe qetësia publike, si dhe klima politike e vendit. Tek e fundit, vazhda e garimit ishte në rrjedhë ashtu sikundër është edhe aktualisht, me atë që epilogu zgjedhor mund dhe ndryshonte nga çasti në çast. Madje edhe sikundër të ishte e sigurt se zotëri Basha do të udhëhiqte përfundimisht, përderisa ishte numërimi në proces, nuk do të justifikohej me asgjë “kremtimi preliminar” i tij as i cilit do kandidat tjetër. Dhe, ashtu ka bërë mirë sikundër zotëri Basha edhe subjekti politik të cilit i përket, PDSH-ja.


Ndërkaq, jo ashtu, por krejtësisht të kundërtën e praktikon zotëri Edvin Rama tok me subjektin politik të cilit i përket, me Partinë Socialiste të Shqipërisë (PSSH). Këta të sprasmit, z.Rama dhe PSSH-ja (lexo dhe kupto: grup eksponentësh influentë të atij subjekti politik…) duke e kapur vetëm një fragment periodik të vazhdës së numërimit të votave, në të cilin ai, Rama, priu për dhjetë vota, kundërligjshëm, gabimisht, padrejtësisht, pandersisht. Fillimisht “kremtuan fitoren e korrur” me pompozitet të paparë, irritues dhe provokues e, rrjedhimisht , po atë moment vazhdojnë me ngulm ta mbajnë për atu të padiskutuar, të pakontestuar, të padebatuar, duke pretenduar vrazhdësisht madje terbueshëm se procedimi në vijim për mbarimin ligjor të procesit zgjedhor nuk pranohet (sic).

Është e paprecedentë situata e sipërtreguar, në të cilën nga rezultatet e numërimit të votave nga një etapë zgjedhore akoma të papërfunduar, të promovohet fitorja e njërit nga kandidatëtët për kryebashkiakë të Tiranës, e zotëri Ramës në një anë dhe, edhe nëpërmjet kanosjeve publike të papara, të prediktohen ngjarje të kobshme për rendin dhe rregullin në Shqipëri poqëse nga vazhda e numërimit të votave do të dilte rezultat i disfavorizuar për të, pra zotëri Ramën, në anën tjetër.

Gjithsesi, pritjet e natyrshme të cilitdo shqiptar në këtë kontekst do të ishin që procesi, procedura, teknika e votimit si dhe e numërimit të votave edhe për kryebashkiak të Tiranës, të zhvilloheshin drejt, në rregull dhe konform me aktin ligjor dhe aktet nënligjore referuar zgjedhjeve. Rezultati zgjedhor, cili do qoftë, do të ishte krejtësisht i pranuar nga cilido votues dhe natyrisht nga cilido shqiptar kudo qoftë. Fituesi në procedure dhe bazë ligjore të rregullt do të gëzonte mbështetjen, admirimin dhe respektin e së pakut të gjithë votuesve!

Ndaj, me bindje se është opinion i gjerë dhe i drejtë, nga këtu edhe në këtë mënyrë, fillimisht i apeloj zotëri Edvin Ramës tok me ithtarët e tij qe, në vend të kërcënimeve për destabilizim politik të mos themi, për (ri)kallje edhe një herë të Shqipërisë për kaprice tendencioze, egoiste dhe egocentrike, të angazhohet me devocion kombëtar dhe intelektual si dhe të liderit të njërit nga dy subjektet politike kryesore në vend për tu proceduar votimet krejtësisht konform me ligjin (aktin ligjor dhe aktet nënligjore), pavarësisht se cili rezultat final do të pasonte qe të pranohej, përfillej dhe nderohej.

Në anën tjetër , poashtu, edhe zotëri Bashës tok me ithtarët e vet i apeloj për të bërë krejtësisht ç’është e mundur për përfundimin e rregullt të zgjedhjeve, numërimit të votave dhe shpalljen zyrtare të rezultateve të tyre duke i pranuar, nderuar dhe përfillur ato rezultate.

Dhe, përfundimisht, votat e kontestuara për shkak të vendosjes në kuti votuese jo të duhura, gjithsesi duhet të numërohen referuar destinimit të tyre, për zotëri Ramën apo për zotëri Bashën eventualisht për zotëri Hysni Milloshin), sepse votuesi, pavarësisht nga niveli, eventualisht nga grada shkencore qe mund ta këtë kurdoherë në procesin e votimit, sikundër në të cilën do procedurë – administrative, civile, penale, kundravajtëse etj., trajtohet dhe, patjetër, duhet të konsiderohet PALË LAIKE. Pra, interpretimi i validitetit të fletëvotimeve të kontestuara vetëm për shkakun e vendosjes në kutia votuese tjera (jo të kandidatit të mbështetur me votë), duhet interpretuar në favor të vullnetit politik të votuesit, palës laike në procedurë zgjedhore.