Policia e Kosovës në Ferizaj ka pranuar një informatë se një person ka publikuar në rrjetet sociale një video ku shihen dy qen të racës "Kangall" duke u përplasur rëndë. Ndërkohë Policia ka identifikuar të dyshuarin A.K., 43 vjeç, i cili është ftuar për intervistim në stacionin policor në Ferizaj.

Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt, ka thënë për Telegrafin se pas intervistimit nga hetuesit policorë dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti "Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe ujit të shtazëve".


“I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti do t’i procedohet Prokurorisë Themelore në Ferizaj për veprime të mëtejme ligjore. Apelojmë për qytetarët që të trajtojnë me kujdes dhe përgjegjësi kafshët, si dhe të mos lejojnë veprime që bien ndesh me ligjin. Çdo formë e keqtrajtimit të kafshëve është e dënueshme me ligj. Ftojmë qytetarët që rastet e tilla t’i raportojnë menjëherë në numrin 192 ose përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë””, ka thënë Veseli./Telegrafi/