Universiteti konsiderohet institucioni ku kalitet ardhmëria dhe elita e një vendi. Ky është parim universal në të gjitha vendet e botës. Edhe Universiteti i Prishtinës e ka këtë parim në misionin e tij madhor për kërkimet shkencore dhe përgatitjes akademike dhe profesionale - të paktën në dokumentin më të lartë të tij që është Statuti. Por, ja qeë fatkeqësisht realiteti flet ndryshe.

Në nenin 5 të Statutit të UP-së precizohet qartë: “Universiteti i Prishtinës është institucioni publik autonom për arsimin e lartë që zhvillon arsimim akademik, kërkime shkencore, krijimtari artistike, këshillime profesionale dhe fusha të tjera të veprimtarive akademike”.


Por, sa arrihet ky mision ne Universitetin e Prishtinës?

Me studentët që shumica prej tyre kanë ardhur të përkëdhelur nga profesorët e tyre në shkollat e mesme (me të gjitha notat 5) dhe jo rrallë herë profesorët kanë qëlluar të jenë dajallarët, tezakët apo kushërinjtë e tyre, tani e kanë të vështirë adaptimin me rrethin e ri akademik në Universitet.

Nga ana tjetër, një pjesë shumë të madhe të fajit e kanë edhe profesorët (universitarë) tanë të dashur, ata që në çdo moment e shfrytëzojnë servilitetin e studentëve për t’ju kryer ndonjë punë e që më vonë në provim e “shpërblen” me një hiper-notë joreale, gjë që përbënë një defekt shumë të madh. Sepse, siç u tha më lartë: misioni i Universiteti është kërkimi dhe dija e jo falja e notave.

Në Universitetin e Prishtinës kemi edhe raste më të rënda kur studenti (sidomos femrat) qanë me lot në sy para profesorit për një notë më të lartë. Kjo mbase është mësuar kështu nga shkollimi paraprak apo ngase kolegët e saj nuk duhet ta lënë pas me nota.

Dhe, ja se çfarë ndodhë?!

Profesorët, natyrisht jo të gjithë, tregohen të mëshirshëm. Shumë gjest i ulët, sepse studentëve ju jepet një iluzion për vetveten, një perceptim i gabuar, Notat e tyre në raport me dijen dhe njohuritë e tyre janë disproporcionale. Në shkencë nuk ka mëshirë. Duhet respektuar kriteret dhe rregullat e notimit, ndryshe nuk ecën përpara.

Dhe, “ëmbëlsira” për fund: një notë e lartë mund të arrihet edhe përmes skriptave (përmbledhje materialesh mësimore) dhe pyetjeve të gatshme nga gjeneratat e kaluara.

Por, ku mbetet përgatitja akademike dhe intelektuale e studentit kosovar?

Padyshim, në fund të pusit. Studentët e tillë janë gjysmak në profesionin e tyre dhe nuk i shërbejnë me asgjë të dobishme shoqërisë sonë.

Si të shmangim një defekt të tillë?

Personalisht kam përshtypjen që duhet një ndryshim drastik i mentalitetit të studentit kosovar. Duhet ngulitur njëherë e përgjithmonë në krye se për të arritur një sukses meritor në jetë apo një notë maksimale në studime, duhet më shumë punë dhe angazhim e më pak të qajmë; duhet studiuar në libra, e jo të mësohet përmendësh në skripta. Ndryshe, do të vazhdojë ky avaz i vjetër në Universitetin e Prishtinës, ku dija dhe njohuritë shkencore janë aq larg me hiper-notën e marrë sa vetë Kosova me Evropën.