Nga: Deborah Nicholls-Lee / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 1974, duke kërkuar më shumë autonomi krijuese dhe një tingull më të fuqishëm roku, grupi The Eagles ndërpreu bashkëpunimin me producentin e tyre në Londër dhe u kthyen në qytetin e tyre të lindjes, në Los Anxhelos të Kalifornisë. Aty, në “Record Plant Studios” - të themeluar nga inxhinieri legjendar i zërit, Gary Kellgren, dhe biznesmeni i zgjuar Chris Stone - ata gjetën një alternativë radikale. Në këtë ambient të relaksuar, ku përmbushej çdo aspekt i jetës së një ylli - nga suitat e hotelit deri te vaskat me hidromasazh - ata incizuan albumin e tyre të famshëm, Hotel California.


Edhe kur The Eagles sillnin atmosferën festive brenda studios, menaxherët nuk shqetësoheshin. Siç thotë Stone në një libër të ri të botuar nga [Shtëpia Botuese] Thames & Hudson: “Sa më gjatë t’i mbanim aty, aq më shumë para fitonim”. Me muzikantë që - pasi futeshin aty - mezi shkëputeshin nga ambienti i studios, nuk ishte çudi që brenda një viti pas publikimit të këngës Hotel California, nisën të qarkullonin thashethemet se “Record Plant” ishte "Hotel ‘Kaliforia’ e vërtetë".

Chris Stone jashtë studios “Record Plant”

Libri Buzz Me In - Inside the Record Plant Studios, nga gazetarët veteranë të muzikës, Martin Porter dhe David "Mr Bonzai" Goggin, rrëfen historinë e një prej studiove më të suksesshme të incizimit në ShBA gjatë viteve të saj më dekadente; që nga fillimet (më 1968) në Nju-Jork - ku u incizua Electric Ladyland e Jimi Hendrixit - deri te versionet e “egra” në Kaliforni, në Los Anxhelos dhe Sosalito ku incizuan legjendat e muzikës rok si Fleetwood Mac, The Who dhe The Eagles.

Buzz Me In, i emërtuar sipas fjalëkalimit për të hyrë në studion në Los Anxhelos, e fton publikun në një botë rokënroli të cilën pak vetë e kanë parë. I shoqëruar nga një listë dëgjimi me incizimet ikonike të studios, libri mbështetet në kujtimet dhe arkivat e Stoneit, nga fotografitë prapa skenave, si dhe mbi 100 intervista me artistë, producentë dhe stafin e studios që kontribuuan në suksesin e “Record Plant”-it.

Inxhinieri i zërit Gary Kellgren me Jimi Hendrixin

Në vitet ’70 të shekullit XX, Porter dhe Goggin patën qasje më të afërt se shumica në botën sekrete prapa dyerve të studios. “M’u deshën vite të tëra për të kuptuar se ishte një kohë vërtet e veçantë”, i thotë Porteri, BBC-së. Dyzet vjet më vonë, një figurë që doli në pah si i mbijetuar i asaj periudhe të çmendur ishte Chris Stone.

“Chris Stone ishte shumë i rëndësishëm në industrinë muzikore dhe tregonte histori të shkëlqyera”, thotë Porter, i cili besonte se kujtimet e Stoneit nga dekada më e egër e “Record Plant”-it ishin material për një libër. Por, ai vazhdonte të refuzonte, duke këmbëngulur: “Historia vdes me mua, Porter”. Por, në dy vitet e fundit të jetës së tij (vdiq në vitin 2016), ai ndryshoi mendje dhe i bashkoi Porterin me Gogginin, mikun dhe publicistin e tij të ngushtë, për ta ndihmuar në realizimin e këtij projekti.

“Record Plant” ishte studio e veçantë. “Artistët më të mëdhenj donin të shkonin aty”, i thotë Goggini, BBC-së. Studioja ishte pararojë e teknologjisë më të fundit ("më shumë kanale incizimi, altoparlantë më të mëdhenj ...”) dhe krijoi një ambient që ishte krejt ndryshe nga studiot tradicionale.

Në fund të viteve 1960-’70, “Record Plant Studios” tërhiqte muzikantët më të mëdhenj të botës

Ajo u jepte artistëve më shumë liri nga shtëpitë diskografike, duke krijuar një model të ri pune që më vonë u eksportua në mbarë botën. Njeriu nxitës i kësaj rruge të re ishte Kellgreni. Ai ishte “argëtues”, “kreativ” dhe “inovativ”, thotë Porter. “Ai dinte të përdorte miksetën, të prodhonte tinguj të shkëlqyer, por gjithashtu dinte të krijonte një atmosferë feste - një hapësirë ku artistët dëshironin të krijonin, të qëndronin, e të shoqëroheshin”.

Kur në vitin 1969 dyshja hapi një studio simotër në Los Anxhelos (dhe një tjetër në Sosalito më 1972), ata fuqizuan konceptin origjinal duke krijuar një lloj “rok-hoteli”, me xhakuzi për grupin, dhoma me tavane me pasqyre dhe - në frymën e kohës - një sërë drogash të paligjshme për t’i mbajtur sa më gjatë aty artistët klientë. “Pasqyrat ishin të integruara në miksetë dhe asistentët udhëzoheshin të kujdeseshin që çdo mëngjes të kishte një brisk të pastër dhe një pip”, thotë Porter.

Festat me yje ishin legjendare: Ftesa për hapjen e studios së Los Anxhelos në vitin 1969 ishte në formën e një tulle

Nuk është për t’u habitur që “Record Plant” tërhiqte rokerët më të egër, përfshirë bateristin me temperament shpërthyes të grupit The Who, Keith Moon, i cili shfaqet në libër në vitin 1976 përballë panelëve shumëngjyrësh për absorbimin e zërit në studion e Los Anxhelosit. Gjatë një sesioni të vështirë me vokale, ai theu një llambë në tavan sa herë që gabohej një notë - derisa studioja mbeti në errësirë.

Ndërsa Stone sillte zgjuarsinë e biznesit, Kellgreni ishte forca kreative: një karakter i paparashikueshëm që kaloi pjesën më të madhe të viteve ’70 të shekullit XX nën ndikimin e drogës dhe që vdiq tragjikisht si i ri, në vitin 1977. Ishte ai që mendoi ftesat në formë tulle për hapjen e studios në Los Angjelos, që ua dërguan yjeve të rokut anembanë, duke shkaktuar rrëmujë në zyrat postare. Natën e hapjes, ftesat iu dorëzuan një muratori të veshur me smoking, i cili i çimentoi për të krijuar një “mur fame” që binte në sy.

Duke punuar përkrah producentit Bill Szymczyk, The Eagles kaluan nëntë muaj në “Record Plant LA” duke punuar në albumin Hotel California, kënga e të cilit fliste për një vend ku mund të “dilje kur të doje”, por “nuk mund të largoheshe kurrë”. John Lennon ishte një shembull i kësaj: ai e kishte kthyer studion në shtëpinë e vet për pjesën më të madhe të pesë viteve, duke shfrytëzuar mundësinë për të improvizuar me Mick Jaggerin ose për të ftuar Elton Johnin për ndonjë këngë të re. Pikërisht aty Lennoni kaloi fazën e tij të famshme të “fundjavës së humbur”, dhe në vitin 1980 nënshkroi një autograf për recepsionisten e “Record Plant”-it në Nju-Jork - vetëm pak minuta para se të vritej.

Tavani me mozaik xhamash mund të ketë frymëzuar vargun "Tiffany-twisted" në Hotel California

“Record Plant” dhe festat legjendare tërhiqnin yje të panumërt; ofronin gjithçka që dëshironin dhe i mbanin të mbërthyer në magjinë e studios. Në librin Buzz Me In, Ken Caillat - producent i albumit Rumours të grupit Fleetwood Mac - përshkruan përvojën e grupit në studion e Sosalitos si “të droguar” dhe “klaustrofobike”. Në një jehonë të vargut të famshëm, ai thotë: “Pati ditë kur ndihesha sikur nuk mund të largohesha kurrë”. “Record Plant” nuk kishte asnjë skrupull në përmbushjen e çdo dëshire, me qëllim që të shiste kohë incizimi. Kur Hendrixi pritej në studion e Nju-Jorkut, mbi miksetë vendosej një tas me xhointa që rishtas ishin mbështjellë.

Në Sosalito, pranë shtratit të Sly Stoneit u instalua një bombol gazi për qeshje; në mensën e studios së Los Anxhelosit, Glenn Frey i The Eagles grumbulloi një borxh prej 50 mijë dollarësh duke luajtur fliper. Edhe Stevie Wonder, i njohur për jetën e tij të pastër, “harxhonte 175 dollarë në orë në Studion C [LA], vetëm duke luajtur hokej në tavolinë”. Kultura e studios ndihej qysh para se të hyje brenda.

John Lennon në “Record Plant” me Mick Jaggerin dhe Yoko Onon

Albumi Hotel California arriti statusin platin në dhjetor 1976, dhe kënga që mban titullin e albumit - me përzierjen magjepsëse të rokut, kantrit dhe ndikimeve latine, përfshirë hyrjen me kitarë në stilin flamengo - kryesoi klasifikimet në ShBA në majin pasues. Ngjashmëritë midis tekstit të këngës dhe studios ishin të qarta për Kellgrenin. “O Zot, po shkruajnë për ‘Record Plant’-in” - i tha ai producentit Jimmy Robinson.

“Era e ngrohtë e kolitës [kabanis] që ngrihet në ajër” i ngjante tymit të marihuanës që mbushte studiot; ndërsa “fytyra e bukur” në recepsion mund t’i referohej Rose Mannit e cila drejtonte vizitorët përgjatë një korridori të hapur në ajër të pastër që çonte në një labirint korridoresh si ai i përshkruar në strofën e parë të këngës.

Mendja e saj “e turbulluar nga xhamat [Tiffany]” mund të ishte frymëzuar nga tavani prej mozaiku në dhomën e kontrollit në Sosalito, ose ndoshta nga 125 dritaret me xhama të dekoruar në “Kështjellë” - një vilë në Holivud e blerë nga “Record Plant” në vitin 1975, ku Kellgren shpresonte të krijonte një “pallat roku”, me kulla që ngjanin me hotelin “Beverly Hills” të paraqitur në kopertinën e albumit.

Keith Moon, bateristi i grupit The Who, një herë theu të gjitha llambat në tavanin e studios në Los Anxhelos

Disa punonjës të “Record Plant”-it ishin të bindur se roja i natës, Michael Gately - ai që hapte derën pas fjalëkalimit - ishte “njeriu i natës” në këngë; “dhomat e zotërisë” i referoheshin dhomave me jehonë pranë Studios C; parkingu i rrethuar i studios ishte “oborri” ku stafi pëlqente të festonte. Dhe, a mund të ishte “shpirti” i vitit “1969” një aludim për natën e hapjes së studios me plot yje?

Thashethemet se “Record Plant”-i ishte "Hotel 'Kalifornia'" e vërtetë, u përhapën edhe më shumë nga vetë Kellgren i cili e kuptonte se krijimi i mitit ishte i mirë për biznesin dhe, siç thotë Goggin, “sigurisht nuk u përpoq që ta ndalte”. Provat ishin bindëse. “Shampanja rozë me akull” mund të ishte thjesht metaforë për ekstravagancën e “Record Plant”-it, por “pasqyrat në tavan” ishin krejt të vërteta. Kishte një pasqyrë mbi kabinën e vokaleve në Studion C, në çdo dhomë të pasme të studios, dhe - më e rëndësishmja - mbi shtratin madhështor me temë detare, një hapësirë e frekuentuar nga The Eagles që kishte një ndarje të fshehtë poshtë dyshemesë nga ku Kellgren vëzhgonte seancat e incizimit.

Shumë vargje në këngën kryesore të albumit kanë ngjashmëri të qarta me studiot e “Record Plant”-it

Megjithatë, The Eagles i shmangën këto spekulime. “Kjo është një këngë për anën e errët të Ëndrrës Amerikane dhe për teprinë në Amerikë - gjë për të cilën kishim përvojë”, i tha Don Henley gazetarit Gayle King në një intervistë për CBS në vitin 2007.

“Ka aq shumë ngjashmëri,” i thotë Porteri, BBC-së. “Shumë nga vargjet dhe atmosfera e kohës ishin të frymëzuara nga vendi ku u shkrua kënga”. Kjo pyetje i drejtohet edhe Chris Stoneit në libër. “Ishte ‘Record Plant’-i ‘Hotel California’ e vërtetë”? Përgjigjja e tij: “Ne ishim gjithçka që klientët tanë donin të ishim”. /Telegrafi/