Ilir Ferati shpall rikandidimin për një mandat të ri në krye të Istogut

Kryetari aktual i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka bërë të ditur se do të rikandidojë për një mandat të ri në zgjedhjet lokale.
Lajmin e ka bërë publik përmes një postimi në Facebook, ku ka falënderuar strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për besimin dhe mbështetjen.
“Të dashur qytetarë të Istogut, me nderin më të madh pranova rikandidimin për Kryetar Komune nga Dega e LDK-së në Istog, nga dega me sukseset më të mëdha në nivel Republike”, ka shkruar Ferati.
Ai u shpreh i përkushtuar për të vazhduar punën e nisur dhe ka paralajmëruar mbajtjen e një konvente për prezantimin e programit të ri zhvillimor për komunën.
“Zotimi ynë është puna jonë, betimi ynë është shërbimi për Ju! Planin për Istogun e të gjithëve do ta vazhdojmë bashkë…”, theksoi ai, duke shtuar se lista kandiduese e LDK-së do të përfaqësojë zërin e qytetarëve.
Ferati u deklarua për bashkëpunim dhe angazhim të përbashkët, duke theksuar se “LDK-ja është shtëpia e përbashkët – trashëgimia jonë e përbashkët – besatimi shumëvjeçar i Istogut”.
Ai aktualisht është në mandatin e tij të parë si kryetar komune dhe vjen nga një familje me histori të gjatë politike në kuadër të LDK-së./Telegrafi/







































